Rënia në peshë është diçka e zakonshme kur lidhet me dietë apo aktivitet fizik. Por kur kilogramët bien papritur, pa asnjë ndryshim në stilin e jetesës, kjo mund të jetë shenjë e një problemi shëndetësor.
Mjekët e konsiderojnë shqetësuese humbjen e më shumë se 5% të peshës trupore brenda një viti, sidomos kur ndodh pa arsye të qartë. Në këto raste, trupi mund të jetë duke dhënë sinjale për sëmundje të ndryshme.
Diabeti është një nga shkaqet kryesore. Rënia në peshë lidhet me humbjen e lëngjeve dhe me faktin që trupi nuk arrin të përdorë si duhet sheqerin në gjak, duke djegur yndyrë dhe muskuj për energji. Shenja të tjera janë etja e shtuar, lodhja dhe mpirja e gjymtyrëve.
Një tjetër shkak është Hipertiroidizmi. Kur hormonet tiroide janë të larta, metabolizmi përshpejtohet dhe trupi shpenzon më shumë energji. Kjo shoqërohet me rrahje të shpejta të zemrës, djersitje dhe nervozizëm.
Problemet në stomak, si Ulçera në stomak, mund të ndikojnë gjithashtu. Dhimbjet, të përzierat dhe mungesa e oreksit bëjnë që personi të hajë më pak dhe të humbasë peshë.
Në disa raste, shkak mund të jenë edhe parazitët në zorrë, të cilët ushqehen me atë që konsumon njeriu, duke çuar në dobësim të trupit.
Gjendjet psikologjike si Depresioni ndikojnë drejtpërdrejt te oreksi dhe mënyra e ushqyerjes, duke sjellë rënie të pavullnetshme në peshë.
Një nga sinjalet më serioze lidhet me Tumoret. Rritja e qelizave anormale shpenzon energjinë e trupit dhe shpesh shoqërohet me dobësim të shpejtë. Edhe trajtimet si kimioterapia ndikojnë në uljen e oreksit.
Po ashtu, sëmundje si Skleroza dhe Sëmundja e Alzheimerit mund të shfaqen me humbje peshe, sidomos në moshat e mesme dhe të mëdha.
Rënia e papritur në peshë mund të lidhet edhe me kequshqyerjen, sëmundje të mushkërive, probleme me zemrën apo efekte anësore të medikamenteve.
Në çdo rast, kur pesha bie pa një arsye të qartë, këshillohet konsultë me mjekun për të kuptuar shkakun dhe për të shmangur komplikacione të mëtejshme.





