… Sepse pas tre vitesh, kur të vijë 24 shtatori i vitit 2029, Durrësi duhet të dijë të përkulet me respekt, para një shekulli histori të notit të tij…

Nga BUJAR QESJA

Ka fotografi që mbeten thjeshtë kujtim. Por ka edhe fotografi që shndërrohen në dokumente historie, në albume emocionesh dhe në dëshmi krenarie qytetare. Kjo pamje e 24 shtatorit 2005, është pikërisht e tillë.

Një foto e realizuar 21 vite më parë, në 76-të vjetorin e notit durrsak, ku janë fiksuar plot 61 persona, sportistë, trajnerë, drejtues dhe dashamirës të sporteve të ujit. Një brez i tërë njerëzish që i dhanë emër, dinjitet dhe lavdi qytetit bregdetar përmes notit dhe vaterpolit.

Në vitin 1929, u hodhën themelet e notit durrsak. Ndodhemi në pragun e 97-të vjetorit dhe vetëm tre vite na ndajnë nga data historike e 24 shtatorit 2029, kur Durrësi do të kremtojë 100-të vjetorin, e një prej traditave më të bukura sportive shqiptare.

Dhe ndoshta, nuk ka hyrje më të bukur për atë jubile sesa kjo fotografi.

Mjafton ta sodisësh me vëmendje dhe ndjen, se aty nuk janë vetëm njerëz të rreshtuar për një kujtim. Aty është vetë memoria sportive e Durrësit. Janë dekada sakrificash, garash, emocionesh, fitoreje, stërvitjesh në mëngjes herët, udhëtimesh, entuziazmi rinor dhe dashurie të pakushtëzuar për detin.

Në këtë foto shfaqen emra, që kanë hyrë prej kohësh në historinë e sportit shqiptar. Në qendër të kujtesës qëndron madhështori Dhimitraq Goga, personalitet që nuk i përkiste vetëm basketbollit, por gjithë sportit durrsak. Prania e tij në këtë takim, i jepte peshë morale dhe qytetare veprimtarisë.

Aty janë gjithashtu figura të shquara të ujit si Niko Kurani, Koçi Afezolli, Agron Ismailati, Sabri Kapexhiu, Hysen Sharra, Arben Jorgoni, Eqerem Korra, Xhevdet Mitraku, Shyqyri Rexha, Rifat Murati, Agron Kallaku, Syrja Kapexhiu, Josif Koçi dhe i jashtëzakonshmi Mirban Kadiu. Të gjithë këto nuk jetojnë.

Por kjo fotografi i ka bërë të gjithkohshëm.

Ata na shohin nga kjo pamje me qetësinë e njerëzve, që e kanë kryer misionin e tyre. Na kanë lënë pas kujtime të çmuara, histori të pathëna dhe një traditë që nuk duhet të humbasë kurrë.

Në këtë foto janë edhe emra të respektuar të qytetarisë durrsake si Halil Myderrizi, Shpëtim Metani, Kolec Shuli, Aleksandër Gjiri, Fisnik Tartari dhe Sotir Afezolli, të cilët gjithashtu janë ndarë nga jeta, duke lënë respekt dhe mall.

Ndërsa koha vazhdon rrugëtimin e saj, në këtë foto janë fiksuar edhe profile që vazhdojnë të mbajnë gjallë kujtesën sportive të notit, si Hysen Haxhia, Jani Kurti, Luan Rexha, Gjon Luli, Sadik Mema, Dashamir Janina dhe 96-vjeçari Zyhdi Mara, që përfaqësojnë urën lidhëse mes brezave.

Kjo fotografi nuk është vetëm nostalgji. Ajo është një thirrje.

Një thirrje që 100-të vjetori i notit durrsak, më 24 shtator 2029, të mos kalojë thjeshtë si një datë kalendarike, por të shndërrohet në një festim madhështor, dinjitoz dhe gjithëpërfshirës.

Durrësi e meriton. E meriton historia e tij sportive. E meritojnë kampionët. E meritojnë trajnerët. E meritojnë ata që nuk jetojnë më dhe ata që ende mbajnë gjallë kujtesën.

Duhet shkruar shumë për notin durrsak. Shumë më tepër nga sa është shkruar deri tani. Duhet mbledhur dokumentacioni, fotografitë, dëshmitë, rezultatet, emrat, emocionet dhe historitë njerëzore.

Sepse sportet e ujit në Durrës, nuk kanë qenë vetëm gara. Kanë qenë dhe mbeten kulturë qytetare, edukim, krenari dhe identitet.

Kjo foto e 24 shtatorit të vitit 2005, le të shërbejë si një “aperitiv” kujtese, për jubileun e madh që po afron.

Sepse pas tre vitesh, kur të vijë 24 shtatori i vitit 2029, Durrësi duhet të dijë të përkulet me respekt, para një shekulli histori të notit të tij.

Bujar Qesja

Durrës: 29 prill 2026

Pamja prezanton një pjesë të vyer të notit durrsak. Eshtë 24 shtator 2005, para teatrit “A. Moisiu” Durrës.