Pavarësisht asaj që kanë servirur mediat, takimi mes Ralf Rangnikut dhe drejtuesve të Milanit ka ndodhur. Lajmin e bën të ditur “Sky Sport 24” që njofton se tekniku gjerman ka takuar administratorin Ivan Gazidhis. Dyshja ka biseduar për disa argumente, një nga të cilat është kontrata. 61-vjeçari do të lidhet për tri vite me kuqezinjtë dhe do të arkëtojë çdo sezon 5 milionë euro për të mbuluar rolin e trajnerit dhe atë të drejtorit teknik. Në diskutime është përfshirë edhe merkatoja dhe me sa duket, Rangnik do të ketë në dispozicion 75 milionë euro dhe 50 për qind të të ardhurave nga shitjet që do të bëhen.
Duke llogaritur lojtarët në dalje, “Djalli” mund të sigurojë deri në 60-70 milionë euro duke larguar lojtarë si Kesi, Paketa dhe njëri mes Kontit dhe Kalabrias. Këto shitje do ta ngrinin shifrën në dispozicion të merkatos në 130-150 milionë euro, me Rangnik që do të tentojë afrimin e 5-6 lojtarëve, pasi gjermani vetëm në një rast ka shpenzuar më shumë se 20 milionë euro për një futbollist (Nabi Keita). Duke u rikthyer te takimi, “Sky Sport 24” bën të ditur se ai është zhvilluar në Austri teksa Rangnik ka pranuar se lojtarë kryesore janë Çalhanoglu dhe Hernandez, por klubi duhet të bëjë të pamundurën për të mbajtur në ekip Donarumën, Romanjolin dhe Benaserin, teksa Ibrahimoviç e lojtarët në skadencë janë të lirë të largohen.
Ndërkohë, pas dhjetë ditësh 61-vjeçarit i përfundon kontrata me grupin “Red Bull” dhe që nga 1 korriku do të jetë gati të përqendrohet në detyrat që e lidhin me Milanin. Për sa i përket takimit me krerët e fondit “Elliott”, ai vazhdon të jetë në axhendën e palëve, por do të realizohet nga fundi i sezonit pasi amerikanët nuk duan të turbullojnë edhe më tepër ujërat rreth skuadrës, e cila nuk i ka përjetuar asnjëherë mirë zhvillimet e ndodhura në bordin drejtues. Duke qëndruar te Rangnik, prezantimi i tij zyrtar do të ndodhë vetëm pas mbylljes së sezonit, megjithatë dyshimet janë sheshuar të gjitha dhe 61-vjeçari do të jetë trajneri dhe drejtori i ri i Milanit duke filluar që nga sezoni i ardhshëm futbollistik.





