Nga BUJAR QESJA

Kur shkruajmë për ta, na duket sikur kemi zbuluar mrekullinë. Për është e gabuar kjo përshtypje, apo ky konstatim që tenton të na dëmtojë profesionin. Ato personazhe, që siç është në fakt Klodiana Spahiu, kurrë nuk u vetë në mëndje se me punën dhe përkushtimin e tyre, po bëjnë mrekullinë. Njerëzit dhe për njerëzit, është në adrenalinën e tyre, është në atë që quhet shërbesa ndaj qytetarëve. Preka këto ditë klinikën e tyre, të bashkëshorteve Eduard dhe Klodiana Spahiu. Burrë e grua punojnë pa pushim, në shërbim të njerëzve që kanë nevojë për punën, profesionalizmin dhe aftësitë e tyre. Natyrisht kanjë një veprimtari biznesi, por kurrë për ta parë njeriun si biznes. Dhe këtë praktikë të fundit, e ndeshim jo rrallë.

Personazhet e shkrimeve, nuk i zgjedh nga preferencat, ndryshe s’do të kishte kuptim. Por vlerat, aftësitë dhe cilësitë shumë dimensionale, raportet më shumë se të mira me njerëzit që i shërbejnë, janë ato që i vendosin në ballë dhe i nderojnë, duke ua hequr kapelen. Mbresat personale parë kështu, veçse nxisin dhe ngasin lapsin, për të shkruar formulimet e mendimeve të pronarit të tij. Unë jam një pacient i kësaj klinike, por që më ka çuar këtu zemra ime e goditur që në vitin 2004, e cila i shpëtoi qametit, falë një ndërhyrje spektakolare të kirurgut ta famshëm italian Alberto Albertini, në një nga klinikat e famshme të shtetit fqinjë përballë Adriatikut. Dhe këtë zemër, si shumë zemra të tjera, e ka marrë në patronazh ta mirmbajë një grua e rrallë, një mjeke e aftë, një zonjë e lindur, me cilësi të veçanta të dhuruara nga vetë i Madhërishmi. Dhe mbase që këtu e ndjej, se titulli është gjetja e duhur: “Klodiana Spahiu – zemra që rreh për zemrat”.

E urtë, e qetë, duke shtuar edhe këtë tjetrën, që thjeshtësia ndjehet e privilegjuar në prehërin e saj, e bëjnë Klodiana Spahiun njeriun e kërkuar të ditës, të kësaj dite që aq shumë ka nevojë për kategori të tilla përfaqësimi. Kompetenca e Klodit, siguria në interpretimet e njërit prej organeve më jetikë dhe shumë delikate të njeriut, siç është zemra, ia ka mbushur klinikën dhe i ka dhënë një popullaritet të jashtëzakonshëm në Durrës dhe më gjërë, duke e vendosur në rradhën e kryepreferencave. Kjo ndjehet. Kjo preket. Kjo ekziston tashmë kështu, duke provokuar tek secili prej bashkëqytetarëve të saj, një krenari dhe kënaqësi të pakufi.

Klodi – vajza e çiftit aq të njohur Fatmir dhe Jeta Belegu

Fatmir Belegu është nga profesioni inxhinjer mekanik. Jeta Kërtusha gjithashtu është në profilin e saj. Por që të dy këta, kanë arritur mrekullinë. Janë shembulli i një çifti të shkëlqyer, me një reputacion dhe simpati nga të gjithë durrsakët. Ky krutan aq i ëmbël dhe kjo Jetë, që i dha jetë familjes së saj është me vend qendrim të hershëm në Durrës, por me origjinë nga zona me tradita kulturore dhe arsimore e Ishmit. Jeta njihet si një grua masovike, me një komunikim më shumë se përshtyp lënës, duke kryer shumë detyra në raportin ekonomik dhe të shoqërisë civile. Ndërsa Belegu, njihet si kuadër e hershëm i fabrikës së duhan cigareve. Fatmiri sapo mbushi 80 vjeç dhe rrethohet nga fëmijët aq të dashur, nga mbesat dhe nipërit aq të shtrenjtë dhe ka pranë një grua të rrallë, me një emër që ka bërë vënd në qytetarinë durrsake Jeta Kërtusha. Këto janë prindërit e Klodiana Spahiut.

Një sivi lakmitare, që ngacmon fantazinë

Njerëzit e mirë i ke kudo, veçse do vëmëndje, kujdes dhe dashuri për t’iu përkushtuar atyre, me treguesit e avancuar që kanë. Dhe fatin e kam brenda gjetjes time, pasi Klodiana Spahiu është tejet e kompletuar, me një staturë apo sivi që kryelartëson punën dhe karrierën e saj. Unë do të shënoj këtu, në këtë shkrim, çfarë di për të dhe më pas më gjykoni, nëse kam të drejtë mbi atë çka formulova pak më lart.
Në vitin 1997, Klodi i dha fund studimeve në fakultetin e mjeksisë, ku i nisi 6 vite të shkuara. Por as kishte ndërmënd ti jepte fund, njohurive që kanë limit në zanatin e vështirë të doktoreshës së zemrës. E dinte këtë. Ishte e bindur për këtë dhe sfidën e pranoi, duke preferuar pozicionin më të vështirë, të akomulimit me çdo kusht të njohurive, pasi një ditë do ti gjindesh bashkëqytetarëve, që aq shumë i do. Dhe kjo e bën Klodiana Spahiun, të ketë një zemër të madhe, shumë të madhe, për ti dalë për zot zemrave të veçanta të atyre që kërkojnë derman prej saj.

Një shkollë mbaroi dhe një shkollë të dytë filloi, gati me kohë zgjatje sa e para. Zgjodhi kardiologjinë dhe i dha katër vjet të tjera nga jeta e saj, për ta kaluar edhe këtë pengesë të domosdoshme. Nga Tirana kalon nëpër një mundësi kualifikimi
Në kardiologjinë joinvazive, ekokardio-grafisë në Universitetin Katolik “Sacro Cuore” në Romë. Guximi i kësaj vajze durrsake, me prindër me mbiemra pikantë Belegu dhe Kërtusha, ishte i pambarimtë. Kualifikim prestigj së pari për të, por edhe një detyrim i skajshëm për njerëzit. E dinte mirë se shkalla e përgjegjësisë rritej paralel me kualifikimin, për ta bërë të zonjën dhe të aftë në reagim të kërkesave dhe halleve të njerëzve, që do të ishin pacientët e saj të ardhshëm.

Më pak se 30 vjeçare, u jep leksione studentëve në lëndën e fiziologjisë mjekësore, në Fakultetin e Mjeksisë në Tiranë. Nga pedagoge, ajo vraponte drejt pacientëve në klinikën e parë të shërbimit të kardiologjisë në QSUT “Nënë Tereza” në Tiranë. 2004-tra e vështirë për jetën time, e gjeti Klodin në Spitalin e Durrësit, ku zemra i një gazetari profesionist, gjeti strehë në profesionin e një kardiologe në hapat e rëndësishme të ecurisë. Mjeke në pavion, pedagoge, personazhi ynë nuk heq dorë nga ngarkesat. Përfundoi studimet për master në katedrën e lëndëve biomjeksore dhe eskperimentale të Fakultetit të Mjekësisë në Tiranë. Dhe viti 2005 e gjen përsëri doktoreshën tonë, në Piza të Italisë, ku kreu një tjetër specializim në fushën e kardiologjisë invazive në spitalin “Santa Chiara”.

Klodiana Spahiu, një grua që nuk çquhet për një fizik të veçantë, por të veçantat në jetën e saj, ishin si vetë suprizat e bukura që ia dhuronte vetes dhe njerëzve, nëpërmjet kualifikimesh të pafundme. Vjen detyra e docentes në lëndën e kardiologjisë në Universitetin di Nostra Signora del Buon Consglio Tiranë. 2009 kapi doktoraturën, duke e vënë në dispozicion të profesionalizmit. Nuk i ka ndërprerë dhe as ka ndërmënd të ndërpresë pjesmarrjen në kongrese, takime pune, që organizohen në shumë vënde të botës në fushën e kardiologjisë. Është vlerësuar me titullin “Nderi i Punës” dhe është prej heri “Doktore e Shkencave Mjeksorë”. Një biografi e pasur mjeksore, e një gruaje që është në mesin e viteve 40 të të jetës dhe që vazhdon të punojë, e të punojë pa u ndalur.

Pamje që na befasojnë me të tjera angazhime

Klodiana Spahiu dhe bashkëshorti i saj Eduard Spahiu, kanë ngritur me investimet e punës së tyre të jashtëzakonshme një klinikë private. Emri i saj është MEDICUS dhe formulimi tjetër vazhdon kështu: Qendër Diagnostikuese, Laborator Biokimik, Klinik Hormonal, Kardiologji, Endokrinologji, Diabet, Onkologji. Mund ta vizitoni dhe ta ndjeni se sa frekuentohet. Kjo është dukuri më vete dhe unë do të kthehem shpejt atje ku e lashë, tek plotësimi i portretit të njërës prej dukurive pikante të qytetarisë durrsake, të kardiologes së njohur Klodiana Spahiu.

Klodi ështe deputete i parlamentit shqiptar. Ky detyrim është me zanafillë që nga viti 2009. Se kam prekur këtë angazhim me Klodin, për të përcaktuar pozicionin e saj këtu. Puna, jeta dhe profesioni im, më kanë detyruar të mos e kem patur po se po, por as mos ta kem vëmëndjen tek politika. Por personazheve të mia do ti dal për zot, sa kohë ato kanë raporte të shkëlqyera qytetarie me bashkëqytetarët e mi, sa kohë që ato janë në vijën e parë të evidentimit të vlerave të tyre, të të qenurit pranë në hallet dhe dertet e tyre, në përkushtimin maksimal ndaj mbështetjes për ato që kërkon populli ndaj tyre. Dhe Klodiana Spahiu mbetet shembulli i asaj që po shpreh, duke vendosur zemrën e saj në zemrat e njerëzve, duke bërë kështu një zemër të madhe e të përbashkët. Kështu i ka kryer dhe vazhdon ti kryejë detyrat e saj kjo zonjë, e veshur me nderin e një pune të pazakontë, me burimin bazë nga tradita familjare, me kulturën dhe formatimin e kohë, që ia ka shtuar praktikës së një angazhimi që meriton gjithnjë të evidentohet dhe pse jo edhe të duartrokitet.

Klodiana Spahiu mbetet një doktoreshë zemre edhe kur e shikon të vendoset në zemrën e njerëzve dhe ti mbushë me optimizëm për evitimin e plagëve të tërmetit të tmerrshëm të nëntorit të vitit të kaluar. Klodin tonë zemërflori, e shikon të vrapojë sa në një anë të qytetit në anën tjetër, atje ku hallet e njerëzve burojnë e nuk ndalen. Sa në shtëpinë e fëmijës duke përkëdhelur fëmijët jetimë, e duke shpërndarë dhurata, në shkollën speciale të fëmijve me aftësi të kufizuar, tek mjekët që përballën me Covidin e frikshëm dukë shpërndarë lule, në vendet ku njerëzit duan dorën e ngrohtë dhe të kujdeshme të një gruaje, që kërkon të ngrihet mbi sfidat dhe t’ia dalë mbi to.

Janë mjaft foto që e prezantojnë Klodin edhe në detyrën e deputetes të dalë nga votimi popullor, e të mos velet e ta pushtojë euforia e të qënurit në drejtim. Ajo e di se hallet e popullit, ngjasojnë me një anije të fikur në mes të detit dhe dallgët e përplasin në brigje të pasigurta. E kërkon tu jap siguri me sa mundet. As që e mendoj, e aq më pak ta besoj se Klodi Spahiu, kjo rregulluese e zemrave të thyera të njerëzve, të vendosë karrierën dhe politikën si primare në dëm të interesave të bashkëqytetarëve. E njoh nga afër natyrën e saj aq të ndjeshme dhe brengosjen kur njerëzit kanë halle dhe vonon zgjidhja e tyre. Asaj i dhimbsen të pamundurit dhe bëhet copash ti ndihmojë.

Shumë pamje, apo foto nga qindrat që ne disponojmë, e evidentojnë Klodiana Spahiun, një mjeke të ndjeshme, një njeri në përmasat e plota të humanizmit, një zemër të dridhshme, ku ekot e nxjerrin gjithnjë në favor të rrahjes së pulsit të rritur apo të dobësuar të njerëzve, në takime pune, në mbledhje me popullin dhe në diskutimet për problematikat që i shqetësojnë, pranë veteranëve të luftës dhe të punës, pranë atyre që përmblidhen thjesht e bukur: qytetaria durrsake, duke bërë çmos të ndihmojë e të japë më të vlefshmen.

Klodi Kërtusha! Klodi Belegu! Klodi Spahiu! Që të tria formulimet janë pjesë e njëjtë, e një vajze, e një gruaje, e një zonje, enjë mjekeje që profesioni e lidhi me detyrën e shenjtë të mirmbajtjes së zemrave të njerëzve. Dhe ajo ndjehet e lumtur dhe krenare, pasi çdo sekondë, çdo minutë, çdo orë, çdo ditë e çdo javë, ajo ka bashkuar zemrën e saj me zemrat e njerëzve. Lapsi im këtë herë zgjodhi një tjetër protogoniste të qytetarisë durrsake. Përvoja dhe maturia, m’i ka bërë të pakta kontestimet e personazheve që kam fokusuar, si shenjë e mbështetjes dhe bërjes pjesë të kësaj qytetarie.

Dhe zemra e Klodiana Spahiut, rreh dhe do të rrah njëlloj si më parë. Zemra e saj gjithnjë, do të mbetet e ndjeshme. Zemra e saj me zemrat e njerëzve, gjithnjë do të mbetet një. Dhe këtu është suksesi i saj, vlera e saj.