Disfatat radhazi në pankinën e Teutës i kanë kushtuar Enkelejd Dobit largimin nga radhët e klubit durrsak, që tashmë ka hyrë në vallen e mbijetesës.
Pas humbjes përballë Tiranës, tekniku kishte bërë të qartë se do të bisedonte me drejtuesit, por gjatë ditës së sotme, Teuta ka bërë zyrtar largimin e teknikut duke pranuar dorëheqjen e tij.
NJOFTIMI:
Klubi i Futbollit Teuta njofton se trajneri Enkelejd Dobi ka paraqitur kërkesën për dorëheqje dhe, duke filluar nga dita e sotme, nuk do të ushtrojë më detyrën e tij në drejtimin e ekipit të parë.
Klubi shpreh mirënjohjen e tij për profesionalizmin, përkushtimin dhe kontributin e dhënë nga trajneri Dobi gjatë periudhës së tij në krye të skuadrës, duke i uruar njëkohësisht suksese të mëtejshme në karrierën e tij profesionale.
Në fjalën e tij, trajneri Dobi falënderon presidentin për mundësinë e dhënë, stafin për bashkëpunimin dhe të gjithë tifozët për mbështetjen e vazhdueshme. Gjithashtu, ai shpreh një falënderim të veçantë për ekipin, për angazhimin, sakrificën dhe profesionalizmin e treguar gjatë gjithë kohës së bashkëpunimit, duke theksuar se ka qenë një kënaqësi dhe nder të punojë me ta.
Për dy ndeshjet e mbetura të sezonit, drejtimi i ekipit do t’i besohet zëvendëstrajnerit Hodo, në bashkëpunim me pjesën tjetër të stafit teknik.





