Liderë evropianë po mblidhen në Armeni për dy samite të paprecedenta në një vend që prej kohësh është konsideruar si aleati më i afërt i Rusisë në Kaukazin e Jugut.

Simbolika për këtë vend me më pak se tre milionë banorë është e madhe. Si fillim, Armenia është anëtare e Bashkimit Ekonomik Euroaziatik të presidentit rus Vladimir Putin dhe Rusia ka gjithashtu një bazë ushtarake në territorin armen.

Siç shkruan “BBC“, këtë të hënë, më shumë se 30 liderë evropianë dhe kryeministri i Kanadasë do të marrin pjesë në samitin e Komunitetit Politik Evropian (EPC) në kryeqytetin Jerevan.

Të martën do të zhvillohet për herë të parë edhe një samit dypalësh BE–Armeni, me pjesëmarrjen e presidentes së Komisionit Evropian Ursula von der Leyen dhe presidentit të Këshillit Evropian António Costa.

Armenia varet ndjeshëm nga Rusia për energjinë, duke blerë gaz me çmime të favorshme. Presidenti Putin ka theksuar më herët se Rusia i shet gaz Armenisë shumë më lirë sesa në tregun evropian.

Pika e kthesës në afrimin e Armenisë me Evropën ishte lufta e vitit 2023 me Azerbajxhanin. Kur Azerbajxhani mori kontrollin e plotë të Nagorno-Karabakut, Rusia, ndonëse kishte paqeruajtës në terren – nuk ndërhyri, çka dobësoi besimin e Jerevanit te Moska.

Që prej atëherë, Armenia ka filluar të afrohet më shumë me Bashkimin Evropian. Në vitin 2025, parlamenti armen miratoi ligjin për nisjen e procesit të anëtarësimit në BE, ndërsa janë përshpejtuar edhe negociatat e paqes me Azerbajxhanin, përfshirë një marrëveshje të rëndësishme të ndërmjetësuar në SHBA.

Megjithatë, procesi mbetet i brishtë dhe ka sjellë tensione diplomatike. Azerbajxhani ka pezulluar bashkëpunimin me Parlamentin Evropian, ndërsa Rusia ka shfaqur hapur pakënaqësi ndaj afrimit të Armenisë me Perëndimin.

Moska ka paralajmëruar gjithashtu se nuk është e mundur që Armenia të jetë njëkohësisht pjesë e BE-së dhe Bashkimit Ekonomik Euroaziatik. Ndërkohë, tensionet janë shoqëruar edhe me sulme kibernetike dhe fushata dezinformimi, sipas autoriteteve armene.

Bashkimi Evropian ka miratuar një mision civil në Armeni për të luftuar dezinformimin, sulmet kibernetike dhe ndikimin e huaj, veçanërisht në prag të zgjedhjeve parlamentare.

Megjithatë, pa një angazhim të qartë për anëtarësim në BE apo zëvendësim të varësisë energjetike nga Rusia, Armenia mbetet ende mes një “balancimi delikat” mes Lindjes dhe Perëndimit.