Në Armeni në nisje të Samitit të 8-të të Komunitetit Politik Europian (EPC), Presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen ka mbajtur një deklaratë përpara fillimit të punimeve, duke u ndalur te nevoja për një Europë më të pavarur dhe më të fortë strategjikisht në tre fusha kryesore, energji, mbrojtje dhe zinxhirët e furnizimit.
“Jam shumë e lumtur që jam këtu në Armeni. Ky është takimi i 8-të i EPC dhe do të diskutojmë kryesisht temën e një Europe të pavarur. Ne duhet të reduktojmë varësitë tona të tepërta, konkretisht në tre fusha.
E para është energjia. Ne jemi tepër të varur nga importet e karburanteve dhe për këtë arsye gjithmonë të varur nga tregjet globale të paqëndrueshme. Duhet të rrisim burimet tona brenda Europës, dhe këto janë energjitë e rinovueshme dhe energjia bërthamore, sepse janë burime të prodhuara në vend, më të lira dhe të besueshme.
Tema e dytë ku na duhet më shumë pavarësi është mbrojtja dhe siguria. Duhet të rrisim kapacitetet tona ushtarake për të qenë në gjendje të mbrojmë dhe të sigurojmë veten. Ka një sasi të madhe fondesh në dispozicion për investime. Tani duhet vërtet të rrisim ritmin dhe të përshpejtojmë procesin e prodhimit të kapaciteteve ushtarake.
Elementi i tretë është çështja e zinxhirëve të besueshëm të furnizimit. Për këtë po bashkëpunojmë me vende me mendësi të ngjashme. Kemi marrëveshje të tregtisë së lirë, sapo kemi përfunduar një me Amerikën Latine, por edhe me Indinë apo Australinë dhe do të shkoj në Meksikë, sepse me partnerë të tillë sigurojmë zinxhirë furnizimi të qëndrueshëm dhe të besueshëm. Europa ka rrjetin më të madh të marrëveshjeve të tregtisë së lirë.
Sa i përket Kinës, një rol shumë i rëndësishëm në gjithë këtë ka ndërlidhshmëria. Ajo është thelbësore për zinxhirët tanë të furnizimit, dhe këtu në veçanti ndërlidhja me Azinë Qendrore. Në këtë drejtim, Armenia luan një rol të rëndësishëm’, tha Von der Leyen.





