Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka kërkuar dorëheqjen e ministrit të Punëve të Jashtme, Ferit Hoxha, duke e akuzuar atë për “fyerje ndaj shqiptarëve” dhe për mungesë transparence lidhur me procesin e integrimit evropian dhe raportin e ndërmjetëm të IBAR.
Në konferencën me gazetarët Berisha pretendoi se ministri i Jashtëm ka “mashtruar publikisht” lidhur me ecurinë e procesit të integrimit.
Sipas Berishës, mungesa e transparencës ka ndikuar edhe në shtyrjen e proceseve të rëndësishme të integrimit, duke përmendur mosmbajtjen e një konference ndërqeveritare të planifikuar më parë.
“Për herë të parë u paraqit dje në Komisionin e Jashtëm ministri për të mashtruar shqiptarët për IBAR-in. U paraqit në një kohë kur ai ose duhet të lëshonte komunikatë, siç bën homologu i tij në Serbi, Maqedoni apo Mal të Zi pas çdo jave që mblidheshin në Bruksel, por këta i mbajnë të fshehta. Të tjerët i publikojnë çdo javë. Këtu nuk ka. Dhe ky i rikujtua pas mbi 2 muajve të shkojë në komision për të mashtruar. Nuk është votuar IBAR, tha, po sigurisht nuk është votuar sepse nuk është votuar me qëllim sepse nuk kanë pranuar të votojnë IBAR-in”, tha Sali Berisha.
Berisha u ndal edhe tek deklaratat e ministrit të Jashtëm për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, duke i cilësuar ato si fyese dhe të papranueshme, dhe kërkoi dorëheqjen e tij.
“Ministri i jashtëm duhet të japë dorëheqjen, arrogant dhe i pacipë. Nuk kërkoi të falur për fjalën e tij dhe ky është rast unik. Imagjinoni se çfarë mund të bëjë ky njeri po të ketë më shumë në dorë. Po në qoftë se ti bëre një fyerje në grupin e Ëhatsappit ku janë të gjithë ambasadorët, ti u kërkon ndjesë publikisht shqiptarëve të Maqedonisë dhe çdo shqiptari, ke fyer çdo shqiptar me atë fjalë. Dhe rri e bën sofizma, nuk ka moral të kërkojë ndjesë se e bëri këtë për të mbrojtur kreun e organizatës kriminale, padronin e tij Edi Rama”, deklaroi Berisha.





