Brenda vetëm dy orëve nga hapja e shitjes së parë, janë shitur mbi 10 mijë bileta për koncertin e shumëpritur të Kanye West në Tiranë, i planifikuar për muajin korrik. Interesi ka qenë tepër i lartë, me mijëra fansa që siguruan vendet e tyre menjëherë pas nisjes së shitjeve.
Organizatorët bëjnë me dije se kërkesa ka tejkaluar pritshmëritë, duke e renditur këtë koncert si një nga eventet më të mëdha muzikore të organizuara ndonjëherë në vend. Fluksi i lartë që në fazën e parë tregon pritshmëritë e mëdha për performancën e artistit botëror.
Shitja e përgjithshme për publikun nis të mërkurën në orën 12:00, ndërsa pritet interes edhe më i madh në këtë fazë. Organizatorët këshillojnë fansat të jenë të përgatitur, pasi biletat mund të shiten shumë shpejt.
Koncerti i Kanye West në Tiranë pritet të tërheqë publik jo vetëm nga Shqipëria, por edhe nga rajoni dhe më gjerë, duke e kthyer kryeqytetin në një destinacion të rëndësishëm muzikor këtë verë.





