Deputetja e Partisë Demokratike Jorida Tabaku ka dalë në një deklaratë për mediat jashtë godinës së Kuvendit, pak para nisjes së seancës plenare.
Kjo forcë politike ka kërkuar ndryshimin e Rendit të Ditës në seancën e sotme plenare, duke kërkuar që në rend të futet edhe raporti i PE-së për Shqipërinë.
“Rrallë ndonjëherë drafti fillestar pati mbi 300 amendamente, që u prezantuan dhe përfshinë në variantin final të raportit.”, e nisi fjalën e saj Tabaku, e cila falënderoi Rapoertuesin për Shqipërinë Andreas Schieder dhe të tjerë që punuan për këtë raport.
“Dua të përmend disa elementë nga ky raport. Elementi i parë lidhet me zgjedhjet. Ashtu siç citohet edhe në raport, të gjitha shqetësimet e OSBE ODIHR gjejnë vend aty për zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe bëjnë thirrje për një reformë gjithëpërfshirëse elektorale, por njëkohësisht edhe territoriale me përfshirjen e opozitës.
Së dyti, ngre shqetësime serioze për luftën kundër korrupsionit, për rolin që ka parlamenti, për rolin që kanë gjykatat, dhe i bën thirrje qeverisë, për trajtimin e çështjes së imunitetit me përparësi të menjëhershme sipas kuadrit kushtetues, duke iu referuar rastit të zëvendëskryeministres.
Së treti ka një pjesë shumë të gjerë përsa i përket lirisë së mediave.”, deklaroi Tabaku para gazetarëve, fill pas kërkesës që i është drejtuar Kuvendit.
Deputetja demokrate vazhdoi më tej të thishte se të gjithë këto elemente, kanë qenë “pengesë në procesin e integrimit”.
Ajo tha që shpreson shumë që “qeveria t’i shohë ato si një plan pune” për rrugën që duhet të ndjekë Shqipëria.





