Raundi i tretë i bisedimeve midis Izraelit dhe Libanit është caktuar për të enjten dhe të premten e ardhshme në Uashington, sipas një zyrtari të Departamentit të Shtetit dhe një burimi izraelit.

Takimet e drejtpërdrejta midis ambasadorëve nga të dy vendet janë pjesë e përpjekjes më të gjerë të administratës Trump për të ndërmjetësuar një marrëveshje të qëndrueshme armëpushimi dhe një marrëveshje të mundshme paqeje midis kombeve që nuk kanë pasur kurrë marrëdhënie diplomatike.

Armëpushimi i brishtë, të cilin Presidenti Donald Trump e zgjati me tre javë gjatë raundit të dytë të bisedimeve në fund të prillit, është nën një presion të jashtëzakonshëm, me sulme të vazhdueshme izraelite në të gjithë Libanin jugor dhe sulme të Hezbollahut ndaj forcave izraelite.

Të mërkurën, Izraeli kreu sulmin e parë në Bejrut që kur armëpushimi hyri në fuqi, duke e tendosur më tej marrëveshjen e ndërmjetësuar nga SHBA-ja. Presidenti amerikan, Donald Trump është përpjekur të organizojë atë që do të ishte një takim historik midis kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu dhe presidentit libanez Joseph Aoun.

Por udhëheqësi libanez ka ngurruar të takohet drejtpërdrejt me Netanyahun ndërsa vendi i tij është nën bombardime izraelite.

Të hënën, Aoun tha se nuk ka kthim pas nga negociatat, të cilat ai tha se janë në interes të të gjithë popullit libanez. Ai e bëri të qartë se çdo marrëveshje e qëndrueshme duhet të përfshijë një tërheqje të plotë izraelite nga Libani jugor.