Miliona britanik pritet te votojnë sot në zgjedhjet lokale dhe rajonale në Angli, Uells dhe Skoci, ku pritet që ato të shndërrohen në një grusht shkatërrues për kryeministrin laburist Sir Keir Starmer dhe aftësinë e tij për të qeverisur vendin.

Në lojë janë 5 mijë vende këshilltarësh dhe deputetësh në Angli dhe parlamentet e Skocisë dhe Uellsit, si pjesë përbërëse të Mbretërisë së Bashkuar. Votimi do zgjas deri në orën 22 me orën e Londrës, ndërkohë që sondazhet e opinionit publik flasin se Partia populiste Reforma e Nigel Farage dhe te Gjelbrit e Polanskit, të shtrijnë kontrollin nëpër shumë këshilla ne Angli dhe Uells në kurriz të partive nacionaliste në Skoci dhe Uells.

Laburistët pritet të humbasin 1800 vende. Ndërkohë një parti tjetër si ajo e të Gjelbërve do sfidoj shumë këshilla lokale në dëm të Laburistëve në Londër, ku laburistët e kanë bastionin e tyre kryesore si dhe qytete të tjera të mëdha në Britani.

Pritshmëria për humbjen e domeneve të mëdha në pushtetin lokal në Angli apo në parlamentin e Uellsit e Laburistëve, madje kalimin në vendin e tretë si parti politike në parlamentin skocez, do të thotë se Starmer do ndodhet nën një trysni të jashtëzakonshme ose për të dhënë dorëheqjen, që ka pas gjasa të ndodh realisht, apo përcaktimin e një date për largimin e tij nga posti i kryeministrit.

Gjasat janë se të premten në mëngjes mund të ketë konfirmim elektoral të fillimit të fundit të sistemit tradicional dypartiak në Britani, nga Laburistët dhe Konsevatorët, partia më e vjetër politike në botë, ku votuesit do duhet t’i zëvendësojnë dy partitë e mëdha dhe dominuese deri më sot në skenën politike britanike, me parti populiste dhe nacionaliste.

Ndërkohë ndryshe nga zgjedhjet e fundit lokale, ka një shtim të prekshëm të kandidateve me origjinë shqiptare për këshilltarë në bashkitë e njësitë e ndryshme vendore, sidomos në Londër, nëpër parti të ndryshme politike, por ende jo, për poste të larta në këto njësi administrative.