Ministrat e Punëve të Jashtme të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhanë mbështetje politike për thellimin e bashkëpunimit me vendet e Ballkanit Perëndimor në fushën e sigurisë së jashtme dhe mbrojtjes.
Në sesionin e paradites të takimit ministror, të mbajtur dje, më 11 maj, kryediplomatët e shteteve anëtare të BE-së u takuan me gjashtë homologët e tyre nga vendet e Ballkanit Perëndimor. Kosova në këtë takim u përfaqësua nga ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca.
Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Kaja Kallas, deklaroi në përfundim të takimit se Brukseli është i gatshëm t’i mbështesë vendet e rajonit në përballjen me kërcënimet hibride dhe dezinformatat, si dhe përmes përdorimit më të madh të Instrumentit Europian të Paqes për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të partnerëve.
Megjithatë, ministrat europianë u kërkuan vendeve të rajonit harmonizim me vlerat e përbashkëta të Bashkimit Europian.
“Vendet anëtare shprehën pritjen që të gjitha shtetet të ecin në rrugën evropiane dhe të jenë plotësisht të harmonizuara me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë. Në këto kohë gjeopolitike, kjo nuk është vetëm përmbushje formale e obligimeve, por tregon nëse e shohim botën në të njëjtën mënyrë”, deklaroi Kallas.
Ajo theksoi se jo të gjitha vendet e rajonit janë plotësisht të harmonizuara me politikën e sanksioneve të Bashkimit Evropian.
“E dimë shumë mirë se vendet e Ballkanit Perëndimor kanë qëndrime të ndryshme për çështje të caktuara, gjë që reflektohet edhe në nivelin e harmonizimit me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë”, shtoi ajo.
Shefja e diplomacisë europiane nënvizoi se partneriteti funksionon në të dy drejtimet, ndaj nga vendet e rajonit priten reforma të mëtejshme, respektim i sundimit të ligjit dhe harmonizim më i qartë me politikën e jashtme të BE-së.
Nga vendet e rajonit, Serbia, e cila synon anëtarësimin në Bashkimin Europian, ka refuzuar t’u bashkohet sanksioneve të BE-së kundër Rusisë për shkak të luftës në Ukrainë, pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme nga Brukseli.





