Kryenegociatorja e vendit për integrimin europian, Majlinda Dhuka, paraqiti sot, 12 maj, bilancin sa i takon procesit për vitin 2025 dhe 4 muajt e parë të 2026-s.

“Do të ndalem kryesisht te kushtet e mbylljes së negociatave. Sa i përket kushteve të ndërmjetme apo progresin që ka bërë Shqipëria për shtetin e së drejtës, në luftën kundër korrupsionit, krimit apo të drejtave të njeriut. Në fazën që kemi hyrë tashmë, përgatitjet teknike intensive sa i përket mbylljes së negociatave duke filluar me 10 fushat e para, por duke punuar paralelisht në të 31 fushat. Së dyti, puna e strukturës negociuese duke u përqendruar te rritja e kapaciteteve, rolin e pushtetit qendror, por njëherësh edhe konsultimin dhe dialogun social s a i përket nismave europiane”, deklaroi ajo.

Vitin 2025 e cilësoi “jashtëzakonisht të mirë” sa i takon rrugëtimit drejt familjes europiane.

“Rreth 157 institucione janë të përfshira në përgatitjet për anëtarësim”, shtoi Dhuka, duke theksuar bashkëpunimin e ngushtë mes tyre.

Njëjtë si kryeministri Edi Rama, nënvizoi mbështetjen e plotë të Komisionit dhe Parlamentit Europian ndaj vendit tonë.

Tha se BE deri më tani i ka paraqitur Shqipërisë 101 kushte për mbylljen e negociatave për 31 kapituj.

“Gjatë vitit 2025 kemi punuar për bazën organizative të punës për mbylljen e negociatave, krahas çeljes së negociatave që u krye për 6 grup-kapitujt. Për këtë arsye janë hartuar 31 draft plane pune, ku janë zbëthyer këto 101 linja veprimi ose kushte në rreth 600 nisma europiane, nga të cilat një pjesë e mirë janë të natyrës ligjore”, bëri me dije ajo.

“Tregu i brendshëm, negociatat që u çelën në prill 2025. Kjo është një etapë strategjike dhe në këtë grup-kapitull Shqipëria ka marrë 29 kushte për mbylljen e negociatave. Kanë të bëjnë me disa drejtime kryesore, siç është standardizimi dhe mbikëqyrja e tregut, kontrolli i ndihmës shtetërore, politika e konkurrencës, qeverisja e korporatave dhe mbrojtja e konsumatorit.  E rëndësishme është rritja e sigurisë juridike në treg.”

“Grupi i dytë është konkurrueshmëria dhe rritja gjithëpërfshirëse, i dyti për të cilin negociatat u hapën, më 22 maj 2025. Ka 19 piketa mbyllëse. Objektiv kryesor është ndërtimi i modelit social europian. Thënë më thjesht mirëqenia e qytetarëve shqiptarë. Fokusi kryesor do të jetë transformimi digjital, politika industriale, mbështetja për sipërmarrjen, arsimi dhe formimi profesional, kërkimi shkencor dhe inovacioni, punësimi dhe politika sociale.”

“Grupi tjetër, agjenda e gjelbër, që u çel në shtator 2025. Shqipëria ka marrë këtu 22 piketa, fokusi kryesor do të jetë në politikën e mjedisit, tranzicionin energjitik, transportin, ndryshimet klimatike.”

“Bujqësia, këtu Shqipëria ka marrë 18 kushte për mbylljen e negociatave. Fokusi kryesor do të jetë politika bujqësore dhe zhvillimi rural, siguria ushqimore, një nga fushat standardet e të cilit përbëjnë një sfidë të madhe. Menaxhimi i burimeve natyrore, peshkimi dhe politika e zhvillimit të rajoneve shqiptare. Kjo do të kërkojë modernizimin e sistemeve agro-ushqimore, edhe investime më të mëdha.”