NATO dhe ushtria e Serbisë kanë nisur të martën më 12 maj, stërvitjet e para të përbashkëta ushtarake në bazën ushtarake “Jugu” dhe në poligonin e stërvitjes “Borovc”, pranë Bujanocit, në jug të vendit, njoftoi Ministria e Mbrojtjes e Serbisë.
Stërvitjet do të zgjasin deri më 23 maj dhe organizohen nga Komanda e Forcave Tokësore dhe Komanda e Forcave të Përbashkëta nga Napoli. Në këto stërvitje po marrin pjesë rreth 600 pjesëtarë të ushtrisë serbe dhe forcave të armatosura të Italisë, Rumanisë dhe Turqisë.
Gjithashtu, në aktivitet marrin pjesë edhe planifikues dhe vëzhgues ushtarakë nga Britania e Madhe, Italia, Gjermania, Rumania, Shtetet e Bashkuara, Serbia, Turqia, Franca dhe Mali i Zi.
Udhëheqës i stërvitjes është kolonel Branislav Stevanoviç, zëvendëskomandant i Brigadës së Tretë të Ushtrisë së Serbisë.
“Gjatë aktiviteteve 2-javore në terren do të praktikohen taktikat, teknikat dhe procedurat e përdorura në operacionet e mbështetjes së paqes, si siguria në baza, puna në pikat e kontrollit, kontrolli i tubimeve masive dhe luftimet urbane”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes së Serbisë.
Sipas ministrisë, kjo stërvitje përfaqëson vazhdimin e bashkëpunimit midis Serbisë dhe NATO-s në kuadër të programit “Partneriteti për Paqe” të NATO-s.
“Ky bashkëpunim i shërben qëllimit të ruajtjes së paqes dhe stabilitetit në rajon, përmirësimit të aftësive operacionale të forcave të armatosura dhe forcimit të besimit dhe mirëkuptimit të ndërsjellë”, thuhet më tej në njoftim.
Serbia është anëtare e programit “Partneriteti për Paqe” të NATO-s që nga viti 2006, por këmbëngul në neutralitet ushtarak. Pas fillimit të pushtimit rus të Ukrainës në shkurt 2022, Serbia vendosi një moratorium për mbajtjen e stërvitjeve ushtarake me partnerë të huaj.
Megjithatë, pati edhe përjashtime, si stërvitjet ushtarake “Ujku Platin” në vitet 2023 dhe 2025, të cilat u zhvilluan me forcat e armatosura të Shteteve të Bashkuara dhe disa vendeve të tjera anëtare të NATO-s.
Në Serbi ekziston një narrativë negative ndaj NATO-s, e cila mbështetet edhe nga autoritetet, si pasojë e bombardimeve të vitit 1999 nga aleanca, gjatë ndërhyrjes kundër Republikës Federale të Jugosllavisë për shkak të krimeve të kryera nga forcat serbe kundër shqiptarëve në Kosovë.
Në të kaluarën, përveç ushtrimeve me forcat e armatosura të SHBA-ve, në të cilat kanë marrë pjesë disa vende të tjera të NATO-s, ushtria serbe ka zhvilluar stërvitje edhe me ushtrinë kineze.
Në korrik 2025, një stërvitje dhjetëditore e forcave speciale të ushtrive të Serbisë dhe Kinës u mbajt në provincën kineze Hebei, pavarësisht paralajmërimeve të Brukselit drejtuar Beogradit.
Ndryshe nga vitet e kaluara, që nga viti 2022 nuk ka pasur më ushtrime të përbashkëta midis Serbisë dhe Rusisë apo Bjellorusisë. Serbia është kritikuar nga Bashkimi Europian për këto bashkëpunime ushtarake me vende të ndryshme.
Pikërisht për këtë arsye, Beogradi anuloi pjesëmarrjen në ushtrimet ruso-bjelloruse-serbe në vitin 2020, pasi ato po zhvilloheshin në Bjellorusi në një kohë kur vendi ishte përfshirë nga një krizë politike pas zgjedhjeve presidenciale./Marrë nga REL





