Presidenti amerikan, Donald Trump, do të zhvillojë një tjetër raund bisedimesh me presidentin kinez, Xi Jinping, ndërsa vizitës së tij shtetërore në Pekin po i vjen fundi.
Trump, deklaroi sot, 15 maj, se ai dhe presidenti kinez, kanë arritur disa “marrëveshje fantastike tregtare” gjatë samitit të zhvilluar këtë javë në Pekin, ndërsa të dy vendet po përpiqen të stabilizojnë marrëdhëniet pas luftës tregtare të vitit të kaluar.
Ata zhvilluan një takim dypalësh në kompleksin Zhongnanhai, qendra politike e Kinës, pak para largimit të presidentit amerikan nga Pekini drejt Washingtonit. Dy liderët pinë çaj, shëtitën në kopshtet historike të kompleksit dhe më pas morën pjesë në një drekë zyrtare ku u servirën gatime tradicionale kineze, përfshirë pulë Kung Pao, mish viçi me kërpudha, petka dhe ushqime deti.
Trump e cilësoi vizitën si “të jashtëzakonshme”, megjithatë, ai nuk dha detaje konkrete për marrëveshjet tregtare të arritura. Një ditë më parë tha se Kina ka rënë dakord të blejë avionë amerikanë, produkte bujqësore, naftë dhe avionë Boeing nga SHBA-të.
Sipas administratës amerikane, dy vendet kanë diskutuar edhe për krijimin e një “Bordi Tregtie” dhe një “Bordi Investimesh”, që do të mbikëqyrnin marrëdhëniet ekonomike mes SHBA-ve dhe Kinës.
Trump deklaroi gjithashtu se ai dhe Xi Jinping ndajnë të njëjtin qëndrim për Iranin dhe se të dy vendet duan rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, një nga korridoret më të rëndësishme për transportin global të naftës.
Në një intervistë për Fox News, presidenti amerikan theksoi se Xi i ka premtuar se Kina nuk do t’i furnizojë Iranit pajisje ushtarake, duke e cilësuar këtë si një “deklaratë shumë të rëndësishme”.
Çështja e Tajvanit ishte një nga temat më sensitive të samitit. Mediat shtetërore kineze raportuan se Xi Jinping paralajmëroi për “përplasje dhe madje konflikt” nëse çështja e Tajvanit nuk “menaxhohet siç duhet”.
Kina e konsideron Tajvanin pjesë të territorit të saj dhe nuk e përjashton përdorimin e forcës për ta rikthyer nën kontrollin e Pekinit. Nga ana tjetër, SHBA-të vazhdojnë të mbështesë ushtarakisht Tajvanin, edhe pse nuk kanë deklaruar qartë nëse do të ndërhynin në rast të një sulmi kinez ndaj ishullit.
Xi organizoi për Trump një pritje madhështore, përfshirë edhe darkën zyrtare ku u interpretua instrumentalja e këngës “YMCA”, një nga këngët e preferuara të presidentit amerikan.
Trump njoftoi gjithashtu se Xi Jinping dhe bashkëshortja e tij janë ftuar për një vizitë zyrtare në Shtëpinë e Bardhë më 24 shtator.





