Policia e Durrësit, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Kamëz, ka finalizuar operacionin e koduar “Akuza”, duke vënë në pranga një 23-vjeçar të shpallur në kërkim për tentativë vrasjeje.

I arrestuari është shtetasi F. B., ndaj të cilit Gjykata e Durrësit kishte caktuar masën “Arrest në burg” për veprën penale “Vrasja me paramendim”, mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim.

Sipas hetimeve, 23-vjeçari dyshohet se më 15 dhjetor 2025, në ambientet e një lokali në lagjen nr. 9 në Durrës, ka tentuar të vrasë me armë zjarri shtetasin F. K., në bashkëpunim me tre persona të tjerë.

Njoftimi i plotë:

Durrës/Finalizohet operacioni i koduar “Akuza”, për kapjen e një shtetasi të shpallur në kërkim.

Tentoi të vriste me armë zjarri, një shtetas, në ambientet e një lokali në lagjen nr. 9, ndalohet 23-vjeçari.

Kapja e këtij shtetasi u bë në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Kamëz.

Si rezultat i koordinimit të veprimeve operacionale ndërmjet specialistëve të Seksionit për Hetimin e Krimeve ndaj Personit të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës dhe shërbimeve të Komisariatit të Policisë Kamëz, u kap në Tiranë, në kuadër të operacionit të koduar “Akuza”, shtetasi i shpallur në kërkim, F. B., 23 vjeç.

Gjykata e Durrësit, në muajin mars, 2026, i ka caktuar shtetasit F. B., masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vrasja me paramendim”, mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim, pasi dyshohet se më datë 15.12.2025, në lagjen nr. 9, në ambientet e një lokali, ka tentuar të vrasë me armë zjarri, në bashkëpunim me 3 shtetas të tjerë, shtetasin F. K.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme.