Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, do të vizitojë Kinën më 19 dhe 20 maj, njoftoi sot Kremlini.

Gjatë kësaj vizite, e cila do të zhvillohet vetëm pak ditë pas vizitës së presidentit të SHBA-së, Donald Trump, presidenti rus do të diskutojë me homologun e tij kinez, Xi Jinping, mënyrat për “forcimin e mëtejshëm të partneritetit të gjithanshëm dhe bashkëpunimit strategjik” mes Rusisë dhe Kinës, sipas të njëjtit burim.

Putin dhe presidenti i Kinës, Xi Jinping, do të shkëmbejnë gjithashtu mendime për çështje të rëndësishme ndërkombëtare dhe rajonale, shtoi Kremlini në deklaratën e tij.

Putin dhe presidenti kinez janë takuar më shumë se 40 herë gjatë viteve, më së fundi në Pekin në shtatorin e kaluar.

Dy liderët kanë nënshkruar një marrëveshje për një partneritet strategjik “pa kufij” në shkurt të vitit 2022, më pak se tre javë para se Moska të niste operacionin e saj ushtarak në Ukrainë.