Një tjetër rast i rrezikshëm i drejtimit të mjetit në gjendje të dehur u regjistrua në Durrës, mbrëmjen e së shtunës, në zonën e ish-Kënetës, kur Rezart Abazaj, 44-vjeç, në gjendje të pirë goditi me makinë automjetin e policisë, në tentativë për t’u larguar.
Patrulla ishte njoftuar nga banorë të zonës për një drejtues që lëvizte me shpejtësi dhe në mënyrë të pakontrolluar në lagjen 17, pranë vendit ku dy javë më parë u regjistrua aksidenti tragjik, që u mori jetën 2 të miturve dhe u plagos një tjetër.
Gjatë ndjekjes, në përpjekje për t’i shpëtuar policisë, Abazaj ka lëvizur mbrapsht dhe ka përplasur mjetin e efektivëve.
Pas arrestimit në flagrancë, testi i alkoolit tregoi se Rezart Abazaj drejtonte mjetin me 1.4 mg/l alkool, ndërsa rezulton përsëritës për të njëjtën vepër penale. Edhe më 5 mars ai ishte arrestuar në gjendje të dehur pas një incidenti rrugor, por ishte lënë në masën “detyrim paraqitjeje” me vendim gjykate duke e rikthyer sërish në rrugë e vënė në rrezik për jetën banorët dhe punonjësit e policisë.





