Një propozim i rishikuar nga Irani për të zgjidhur konfliktin në Lindjen e Mesme, është ndarë nga Pakistani me Shtetet e Bashkuara, tha një burim pakistanez për Reuters, ndërsa bisedimet e paqes duket se janë në një ngërç.
“Nuk kemi shumë kohë “, tha burimi, duke shtuar se të dyja palët “po i ndryshojnë vazhdimisht qëllimet e tyre”.
Zhvillimi i bisedimeve u konfirmua në një takim informues për gazetarët nga zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmail Baghai.
Ai tha se Shtetet e Bashkuara fillimisht e hodhën poshtë propozimin prej 14 pikash të Teheranit , por më pas paraqitën amendamente përmes Pakistanit. Irani diskutoi amendamentet dhe ia përcolli qëndrimin e tij Shteteve të Bashkuara përmes ndërmjetësimit pakistanez.
Ai tha gjithashtu se ekipet teknike nga Irani dhe Omani u takuan për të negociuar një mekanizëm për kalim të sigurt nëpër Ngushticën e Hormuzit.
Baghai theksoi gjithashtu se e drejta e Iranit për të pasuruar uranium, në përputhje me kuadrin ndërkombëtar dhe Traktatin për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore, është e garantuar dhe nuk kërkon njohje nga palët e treta.
Diku tjetër, në lidhje me marrëdhëniet e Teheranit me vendet e Gjirit, ai tha se fuqitë e huaja, jo fqinjët, janë “armiku kryesor i sigurisë dhe paqes në rajon “, por paralajmëroi Emiratet e Bashkuara Arabe të mos zhvillojnë marrëdhënie me Izraelin.





