Një tjetër operacion kontrolli është zhvilluar në ambientet e Institucionit të Ekzekutimit të Vendimeve Penale në Peqin, në kuadër të masave të shtuara për goditjen e sendeve të ndaluara brenda burgjeve.

Sipas informacioneve zyrtare, kontrolli “blic” është ushtruar nga strukturat e Policisë së vetë institucionit, pas sigurimit të të dhënave operative që ngrinin dyshime për posedim të sendeve të paligjshme në ambientet e godinës B, sektori nr. 2, dhoma 11, në katin e parë të burgut.

Gjatë verifikimeve, autoritetet konstatuan se i dënuari me iniciale Indrit Shaqja mbante në mënyrë të kundërligjshme një telefon celular në gjendje pune. Pajisja rezultoi e ndezur dhe në proces karikimi në momentin e kontrollit. Po ashtu, gjatë kontrollit fizik të ambienteve u gjet dhe një pajisje USB, e cila u sekuestrua së bashku me celularin si provë materiale.

Menjëherë pas konstatimit të rastit, administrata e institucionit njoftoi strukturat e SHKBB-së, të cilat kanë nisur veprimet procedurale për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe për të verifikuar mënyrën se si sendet e ndaluara kanë hyrë brenda institucionit penitenciar.

Burime pranë sistemit penitenciar bëjnë me dije se kontrollet e befasishme janë intensifikuar gjatë javëve të fundit, si pjesë e një plani masash për rritjen e sigurisë dhe parandalimin e aktiviteteve të paligjshme brenda burgjeve.