Policia e Shtetit ka dhënë detaje për operacionin e zhvilluar në aksin “Mamurras–Laç”, ku mbeti i plagosur një 23-vjeçar i shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Sipas policisë, Leonard Dema, 23 vjeç, i dënuar në Itali me 7 vite burg për tentativë vrasjeje, u lokalizua nga efektivët e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale gjatë një operacioni për kapjen e personave në kërkim.
Në momentin e ndërhyrjes, i riu, që udhëtonte me automjet së bashku me shtetasin Amadeo Fufi, dyshohet se ka tentuar të përplasë me makinë efektivët e policisë, duke u rrezikuar jetën.
Policia bën me dije se personi që e shoqëronte i ka drejtuar armën e zjarrit shërbimeve të policisë.
Në kushtet e vetëmbrojtjes, efektivët kanë ndërhyrë për neutralizimin e tyre, ndërsa gjatë aksionit është plagosur Leonard Dema, i cili u transportua në Spitalin e Traumës dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve.
Ndërkohë, është arrestuar në flagrancë edhe shtetasi Amadeo Fufi, 28 vjeç.
Policia sekuestroi armën e zjarrit pistoletë që posedonte 28-vjeçari.
Njoftimi i policisë:
Tentuan të përplasnin me automjet efektivët e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale duke iu rrezikuar jetën, neutralizohen dhe arrestohen 2 shtetas.
Njëri prej tyre ishte i shpallur në kërkim, i dënuar në Itali për tentativë vrasjeje, ndërsa shtetasi që e shoqëronte ishte i armatosur.
Gjatë neutralizimit është plagosur 23-vjeçari në kërkim, i cili është transportuar në Spitalin e Traumës.
Policia ka sekuestruar armën e zjarrit pistoletë që posedonte shtetasi që shoqëronte të kërkuarin.
Në vijim të operacioneve të Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale, të realizuara pas shkëmbimit të informacioneve dhe koordinimit të veprimeve operacionale me partnerët ndërkombëtarë, me qëllim kapjen e shtetasve në kërkim, është administruar informacion për vendndodhjen e shtetasit të shpallur në kërkim Leonard Dema, 23 vjeç, lindur në Mamurras, i dënuar me 7 vjet burgim nga Gjykata e Trentos, për tentativë vrasjeje.
Gjatë operacionit për kapjen e të kërkuarit, në momentin e ndërhyrjes, në një karburant në aksin rrugor “Mamurras–Laç”, 23-vjeçari, që shoqërohej nga shtetasi A. F, dhe lëvizte me automjet, sapo ka konstatuar efektivët, ka tentuar t’i përplasë me automjet, duke u rrezikuar jetën, si dhe personi shoqërues iu ka drejtuar armën e zjarrit pistoletë, shërbimeve të Policisë.
Shërbimet e Policisë, në kushtet e vetëmbrojtjes, gjatë ndërhyrjes për neutralizimin e tyre, kanë plagosur shtetasin Leonard Dema, i cili është në kujdesin e mjekëve.
Në vijim të veprimeve procedurale u bë arrestimi në flagrancë dhe i shtetasit A. F., 28 vjeç, që shoqëronte shtetasin në kërkim.
Gjithashtu, është sekuestruar arma e zjarrit pistoletë.
Vazhdojnë hetimet në bashkëpunim me AMP-në, dhe në drejtimin e Prokurorisë.





