Autoritetet në Maldive kanë rikuperuar trupat e pesë turistëve italianë që humbën jetën gjatë një zhytjeje të rrezikshme në një sistem shpellash nënujore, në atë që konsiderohet një nga tragjeditë më të rënda të këtij lloji në zonë.
The Sun shkruan se dy viktimat e fundit, Giorgia Sommacal, 22 vjeçe, dhe Muriel Oddenino, 31 vjeçe, u gjetën brenda të ashtuquajturës “shpella e peshkaqenëve” nga një ekip elitë zhytësish finlandezë.
Më herët ishin gjetur edhe trupat e Monica Montefalcone, studiuesit Federico Gualtieri dhe instruktorit të zhytjes Gianluca Benedetti.
Sipas hetimeve paraprake, grupi mund të jetë bllokuar brenda sistemit kompleks të shpellës për shkak të rrymave shumë të forta nënujore, duke mos arritur të dalë në sipërfaqe pasi u ka mbaruar oksigjeni.
Ekspertët dyshojnë se fenomeni i njohur si “efekti Venturi” mund të ketë krijuar një lloj vakumi në kalimet e ngushta të shpellës.
Operacioni i kërkimit dhe rikuperimit u zhvillua në rreth 60 metra thellësi dhe u konsiderua jashtëzakonisht i rrezikshëm. Çdo tentativë zgjaste disa orë dhe ndërpritej menjëherë në rast pengesash apo ndryshimi të kushteve nënujore.
Tragjedia u rëndua edhe më shumë pasi gjatë operacionit humbi jetën edhe një zhytës nga ekipi i shpëtimit i ushtrisë së Maldiveve, Mohamed Mahudhee, i cili pësoi komplikacione nga dekompresioni teksa po ndihmonte në kërkime.
Numri total i viktimave ka shkuar kështu në gjashtë.
Ndërkohë, Prokuroria e Romës ka nisur hetime për vrasje nga pakujdesia, ndërsa po verifikohet nëse janë shkelur rregullat e sigurisë gjatë ekspeditës. Sipas mediave italiane, jahti nga i cili nisi misioni nuk kishte leje për zhytje në thellësi kaq të mëdha.
Ekspertë të zhytjes kanë ngritur pikëpyetje serioze mbi organizimin e ekspeditës, duke theksuar se hyrja e shpellës ndodhet në një thellësi shumë të rrezikshme për zhytje me ajër të kompresuar.






