Rikthehen tensionet në Maqedoninë e Veriut pas protestave të studentëve shqiptarë për të drejtën e provimit të jurisprudencës në gjuhën amtare.

Tensionet ndëretnike tani kanë kaluar me mesazhe dhe parulla të shkruara mureve të Shkupit.

Në rrjetet sociale po qarkullon edhe një fotografi nga qendra sportive “Forca” në Shkup, ku është shkruar një slogan me gjuhë urrejtjeje ndaj shqiptarëve:

“As në tokë, as në qiell, vend për shqiptarë nuk ka”.

Pamja është ndjekur dhe shpërndarë edhe nga figura politike dhe aktivistë, të cilët kanë kërkuar reagim dhe ndërhyrje nga institucionet përgjegjëse në Maqedoninë e Veriut. Por deri tani nuk është raportuar asnjë reagim zyrtar nga autoritetet.

Incidenti vjen në një periudhë kur janë shtuar rastet e retorikës anti-shqiptare në vend. Edhe më herët, gjatë një aktiviteti sportiv, nga tifozë maqedonas u dëgjuan kore dhe thirrje fyese ndaj shqiptarëve, duke nxitur reagime dhe shqetësime për rritjen e gjuhës së urrejtjes.