Kryeministri Edi Rama gjatë vizitës së tij zyrtare në Tokio, ka zhvilluar një takim me Ligën Parlamentare të Miqësisë Japoni–Shqipëri, të kryesuar nga Minoru Kiuchi. Ky i fundit është Ministër për Strategjinë e Rritjes së Japonisë.

Ndërsa ndan në rrjetet sociale disa foto nga ky takim, Rama shprehet se me mbështetjen e pakursyer të ministrit Kiuchi “po punojmë me sukses për rritjen e kontakteve dhe shkëmbimeve mes dy vendeve”.

Sjellim ndërmend se Rama mbërriti mbrëmë në Tokio, ku simbolet kuqezi ishin të pranishme në rrugët kryesore të qytetit, të cilat ishin dekoruar me flamuj të Shqipërisë dhe Japonisë, duke krijuar një atmosferë të veçantë protokollare që shoqëron takimet e nivelit të lartë.

Kjo vizitë zhvillohet në kuadër të forcimit të marrëdhënieve dypalëshe mes Shqipërisë dhe Japonisë, si dhe zgjerimit të bashkëpunimit ekonomik, kulturor dhe diplomatik mes dy vendeve.

Në kuadër të agjendës zyrtare, Rama do të pritet me Gardë Nderi nga kryeministrja e Japonisë, Sanae Takaichi, me të cilën do të zhvillojë edhe një takim bilateral të fokusuar në forcimin e partneritetit mes dy vendeve dhe zgjerimin e bashkëpunimit në fusha strategjike.

Kryeministri do të vizitojë gjithashtu Universitetin e Kombeve të Bashkuara në Tokio, ku do t’u drejtohet pjesëmarrësve në një panel diskutimi me titull “Rruga e Shqipërisë drejt Anëtarësimit në BE: Roli i Japonisë”, mbi procesin e integrimit europian të Shqipërisë, transformimet globale dhe rolin e të rinjve në zhvillimin e qëndrueshëm.

Më 21 maj, kreu i qeverisë ishte në kryeqytetin e Koresë së Jugut, ku mbajti një fjalim në Konferencën Aziatike të Lidershipit. Ai u takua edhe me homologun e tij Kim Min-seok, ndërsa në rrjetet e tij sociale ndau foto nga takimet me disa nga “kolosët e industrisë koreano-jugore”, siç i quan ai drejtuesit e kompanive LG Group, KIA Coorporation, LOTTE GROUP.

Në këtë tur të tij, ai shoqërohet nga bashkëshortja e tij, Linda Rama dhe sigurisht delegacioni.