Kryetari i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla, zhvilloi një takim me personalitete nga Austria, të cilët ndër vite kanë mbajtur funksione si ministra, deputetë dhe eurodeputetë dhe që konsiderohen mbështetës të vazhdueshëm të Shqipërisë.

Gjatë takimit u realizua edhe një videocall me Andreas Schieder, Raporter për Shqipërinë në Bashkimin Evropian.

Në fjalën e tij, Balla vlerësoi rolin historik të Austrisë në mbështetje të Shqipërisë, duke theksuar se ky vend ka mbrojtur vazhdimisht interesat shqiptare dhe ka qenë një partner i rëndësishëm në rrugëtimin europian të vendit.

Duke iu referuar zhvillimeve të fundit në procesin e integrimit, Balla u shpreh se miratimi i IBAR në Bruksel përbën një moment të rëndësishëm për Shqipërinë dhe falënderoi mbështetjen e vazhdueshme të partnerëve austriakë dhe të institucioneve europiane.

Në takim ishte e pranishme edhe deputetja e PS-së, Romina Kuko, e cila nënvizoi se Austria mbetet një nga mbështetëset më të forta të rrugëtimit europian të Shqipërisë edhe pas më shumë se një shekulli marrëdhëniesh të ngushta mes dy vendeve.