Demokratët do t’u drejtohen sot kutive të votimit për të zgjedhur kryetarin që t’i udhëheqë në katër vitet e ardhshme.
Këtë vit nuk do të ketë zgjedhje brenda demokratëve, për shkak se në garë është vetëm Sali Berisha, i cili e quan procesin e 23 majit një referendum për kryetarin.
Zgjedhjet sot do të zhvillohen nga ora 08:00 deri në 18:00 në të gjitha degët e demokratëve në rrethe. Këtë vit, ndryshe nga proceset e fundit zgjedhore votat do të numërohen në degë dhe jo në selinë qendrore.
Berisha u bëri thirrje anëtarëve të forcës politike që drejton të marrin pjesë masivisht në procesin e votimit për votëbesimin e kryetarit dhe e cilësoi këtë proces si një nga format më të avancuara të demokracisë së brendshme partiake dhe një dëshmi të funksionimit demokratik brenda PD-së.
“Ftoj të gjithë anëtarët e PD-së t’i në një akt përgjegjësie, në një akt vlerësimi për qëndresën e tyre dhe për qëndrimet e tyre, të votojnë nesër në liri të plotë”, deklaroi Berisha.
Kujtojmë se gjatë periudhës parazgjedhore, Komisioni i Zgjedhjeve në PD përjashtoi kandidatët si Evi Kokalari, Ervin Salianji, Alesia Balliu, Mereme Sela dhe Vladimir Mulaj, që kërkuan të hynin në garë përballë Berishës.





