Producentja dhe shkrimtarja e njohur për fëmijë nga Durrësi, Myzejen Konduri, kujton mes fjalësh të ndjera studiuesin dhe shkrimtarin e mirënjohur, Moikom Zeqon, i cili u nda nga jeta këtë mëngjes pas një sëmundjeje të rëndë.

Kondurin e lidhte një miqësi e vjetër prej 50 vitesh me Zeqon, e sot ajo shprehet e pikëlluar për këtë humbje të madhe që pësoi kultura shqiptare.

“Dhimbja për Mikun tonë të nderuar, nuk do të shteret kurrë…

Me siguri Atij, i kanë ngrirë shumë fjalë e mesazhe pa thënë…  Po MOIKOM ZEQO, ” MJESHTËR I MADH I PUNËS”, do të ketë vendin e tij, në Fronin e Nderit, në Olimpin e të Mëdhenjve”, shkruan mes të tjerash Konduri.

Mesazhi i plotë i Myzejen Kondurit:

S’mjaftojnë fjalët për të shprehur dhimbjen, për mikun e çmuar, Personalitetin Euridit, Pasuri e një Kombi.

Ku ta dinim Ne se pabesia e vdekjes, do na ndante kaq shpejt prej Tij…

Ai ka qenë dhe do të mbetet, Ikonë në Publicistikë, Histori, Arkeologji e Krijimtarinë Artistike.

Dhimbja për Mikun tonë të nderuar, nuk do të shteret kurrë…

Me siguri Atij, i kanë ngrirë shumë fjalë e mesazhe pa thënë…Po MOIKOM ZEQO, ” MJESHTËR I MADH I PUNËS”, do të ketë vendin e tij, në Fronin e Nderit, në Olimpin e të Mëdhenjve.

O Mik i pazëvendësueshëm!

Na i ka errësuar loti sytë për ndarjen e shpejtë… Po Ti do na flasësh edhe ashtu i shtrirë në heshtje Arkivolin e lavdisë, në përjetësi.

Për Mua, do të mbetesh Miti i Fjalës.

Në çdo gjurmë që ke lënë, do të takohemi me Ringjalljen tëndë, kurrë Anonime.