Zgjedhjet me një kandidat në PD kanë përfunduar zyrtarisht, teksa Sali Berisha rikonfirmohet kreu i selisë blu.

Nga 38 902 vota të vlefshme gjatë procesit elektoral në PD, rezultoi se 37341 vota ishin pro për konfirmimin e Sali Berishës si kryetar.

Në një deklaratë për mediat, Kryetarja e Komisionit të Operacioneve Elektorale (KOKOE) në PD Albana Vokshi theksoi se procesi ishte transparent i rregullt dhe i qetë.

“Përmes një procesit transparent, të rregullt të qetë dhe me një pjesëmarrje masive. Nga përpunimi i të dhënave paraprake, 77 degët e PD, numri total i votave të numëruara është 39 441. Pra rreth 40 mijë. Vota të vlefshme, 38 902. Vota pro kryetarit Sali Berisha 37 341”, tha Vokshi.

Berisha mbajti një fjalim përshëndetës pas shpalljes së rezultatit, duke hedhur akuza ndaj qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama, si të përfshirë në korrupsion dhe skandale, duke bashkëpunuar me krimin e organizuar.

Ai tha se PD do vijojë betejën, kurse zgjedhjet e PD i cilësoi të jashtëzakonshme.

“Mirënjohje për ata që votuan, edhe për ata që votuan ndryshe. Jemi një familje. Ky ishte votimi më i rëndësishëm”, tha mes të tjerash në fjalimin e përshëndetjes për fitoren kreu i selisë blu, Berisha.

Ai i cilësoi votimet në PD si më të rëndësishmet, proces model duke u shprehur se beteja do vijonte deri në rrëzimin e regjimit, të pamposhtur:

“Votimi më i rëndësishëm dhe më i jashtëzakonshëm. Do të vijojmë betejat tona të fuqishme, gjer në fitore të plotë, me vendosmëri për të përmbysur diktaturën e dytë”.

Berisha hodhi akuza edhe ndaj kryeministrit Rama.

“Njeri sharlatan, pa dinjitet, kujton se ke fituar, por fundin e ke të shpejtë”.