Një 25-vjeçar ka humbur jetën dhe një tjetër person ka mbetur i plagosur pas një zjarri të rënë mëngjesin e sotëm në zonën e Fllakës, në Sektor Rinia, Durrës.
Sipas të dhënave paraprake, zjarri ka rënë në ambientin ku gatuhej për punonjësit e një subjekti privat dhe dyshohet se shkak është bërë një bombul gazi. Viktima është një shtetas nga Bangladeshi, ndërsa një tjetër shtetas nga Kenia po merr ndihmë mjekësore në spital.
Policia dhe zjarrfikësit ndërhynë menjëherë në vendngjarje, ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave.
Njoftimi i plotë:
Durrës/Informacion paraprak
Rreth orës 08:00, në një nga ambientet e magazinave të subjektit me administrator shtetasin S. M., në zonën e Fllakës, Sektor Rinia, ka rënë zjarr.
Si pasojë e zjarrit të rënë në ambientin ku gatuhej për punonjësit, (dyshohet nga bombula e gazit) ka ndërruar jetë, dyshohet nga asfiksia, shtetasi O. M., rreth 25 vjeç, nga Bangladeshi, ndërsa shtetasi tjetër, Ch. Ch., rreth 30 vjeç, nga Kenia, po merr ndihmë mjekësore në spital.
Shërbimet e Policisë dhe zjarrfikëses shkuan menjëherë në vendngjarje dhe bënë të mundur fikjen e zjarrit.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për sqarimin e rrethanave, shkakun e rënies së zjarrit dhe dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes.





