Policia e Lushnjës ka arrestuar personin e dyshuar për zjarrvënien në tregun e fruta-perimeve në qytet, ngjarje që shkaktoi dëme të konsiderueshme materiale.
Në pranga është vënë shtetasi Klodian Çina, 48 vjeç, banues në Durrës, i cili ishte shpallur në kërkim policor.
Nga hetimet rezulton se 48-vjeçari dyshohet se në orët e para të mëngjesit të datës 19 maj 2026 i ka vënë zjarrin tregut të fruta-perimeve në lagjen “Xhevdet Nepravishta” në Lushnjë dhe më pas është larguar drejt Durrësit për t’u fshehur.
Policia dyshon gjithashtu se ai është autor edhe i vjedhjes së një biçiklete në Lushnjë, të cilën e kishte përdorur për të lëvizur në qytet dy ditë para ngjarjes.
Sipas hetuesve, në pamjet filmike shfaqet edhe një person tjetër së bashku me të arrestuarin, por deri në këtë fazë nuk rezulton të jetë i përfshirë në zjarrvënie.
Njoftimi:
Lushnjë/ Finalizohet operacioni policor i koduar “Zjarrvënësi”.
Kapet dhe vihet në pranga 48-vjeçari i shpallur në kërkim, i dyshuar për zjarrvënien në tregun e fruta-perimeve, ku u shkaktuan dëme të konsiderueshme materiale.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Lushnjë, pas një pune të mirëorganizuar hetimore dhe veprimeve intensive për lokalizimin e autorit, në bashkëpunim me shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, finalizuan operacionin policor të koduar “Zjarrvënësi”.
Në kuadër të këtij operacioni u bë kapja dhe arrestimi i shtetasit K. Ç., 48 vjeç, banues në Durrës, i shpallur më parë në kërkim policor.
Nga hetimet e kryera dyshohet se ky shtetas, më datë 19.05.2026, gjatë orëve të para të mëngjesit, i ka vënë zjarrin tregut të fruta-perimeve në lagjen “Xhevdet Nepravishta”, në qytetin e Lushnjës, dhe më pas është larguar nga vendngjarja, duke u fshehur në qytetin e Durrësit.
Gjithashtu, dyshohet se është autor edhe i vjedhjes së një biçiklete në qytetin e Lushnjës, të cilën e ka përdorur për të lëvizur në qytet, dy ditë para ngjarjes së ndodhur. Biçikleta u gjet dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Nga këqyrja e pamjeve filmike rezulton se, së bashku me shtetasin K. Ç., shfaqet edhe një person tjetër, i cili, bazuar në hetimet e deritanishme, nuk rezulton të jetë i implikuar në zjarrvënie.
Nën drejtimin e Prokurorisë, vijojnë veprimet hetimore të thelluara për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes, si dhe për identifikimin e personave të tjerë që mund të kenë lidhje me këtë rast.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe “Vjedhja”, në ngarkim të shtetasit K. Ç.





