Teuta arriti të shpëtojë sezonin në mënyrën më dramatike të mundshme, duke siguruar mbijetesën në elitën e futbollit shqiptar pas triumfit në “play-out” ndaj Pogradecit. Një sezon i mbushur me zhgënjime, presion dhe ulje-ngritje përfundoi me festë për durrsakët, të cilët në momentin më delikat treguan karakter dhe eksperiencë. Një nga liderët e skuadrës, Emiljano Vila, flet mbi emocionet e sfidës vendimtare, gabimet e sezonit dhe atë që duhet të ndryshojë te Teuta për të mos kaluar më një tjetër kampionat kaq të vuajtur.

Emiljano, Teuta arriti të siguronte mbijetesën në Superiore pas fitores ndaj Pogradecit në “play-out”. Si e përjetove këtë ndeshje?

Ishte një ndeshje shumë e vështirë emocionalisht dhe psikologjikisht. Kur luan për mbijetesën, presioni është maksimal. Ne e dinim që nuk kishim më vend për gabime dhe për fat të mirë skuadra tregoi karakter deri në fund. Goli në minutat shtesë ishte një shpërthim çlirimi për të gjithë klubin dhe tifozët.

Sezoni i Teutës ishte me shumë ulje-ngritje. Ku mendon se skuadra gaboi?

Mendoj se na mungoi vazhdimësia. Kishim momente shumë të mira, por humbëm pikë në ndeshje ku duhej të tregonim më shumë pjekuri. Në Superiore paguan çdo detaj. Një klub si Teuta duhet të luftojë për objektiva më të mëdha dhe jo për “play-out”.

Sa e vështirë ishte të përballeshit me një Pogradec shumë të motivuar?

Shumë e vështirë. Pogradeci vinte me entuziazëm dhe pa presion. Ishin një skuadër që luftuan fort deri në fund dhe e respektuam maksimalisht. Në këto ndeshje nuk ka favoritë absolutë.

Çfarë peshe kishte eksperienca juaj në dhomat e zhveshjes?

Në momente të tilla eksperienca ka shumë rëndësi. Mundohem gjithmonë të flas me lojtarët e rinj, t’i mbaj të qetë dhe të transmetoj besim. Teuta është një klub me histori dhe fanele e këtij ekipi të jep përgjegjësi të madhe.

A ishte ky një nga sezonet më të vështira të karrierës tënde?

Po, padyshim ndër më të vështirët. Kur lufton për mbijetesë, konsumohesh shumë emocionalisht. Megjithatë, futbolli të mëson të mos dorëzohesh kurrë dhe në fund ia dolëm të shpëtonim sezonin.

Çfarë duhet të ndryshojë Teuta sezonin e ardhshëm?

Duhet më shumë stabilitet dhe vazhdimësi. Teuta do të ndërtojë një skuadër konkurruese që nga fillimi i kampionatit. Klubi ka potencial, tifozë dhe histori për të pretenduar më shumë.