Autoritetet franceze arrestuan një 16-vjeçar sot në lidhje me vdekjen e një djali 12-vjeçar i cili u gjet pa shenja jete të dielën në qytetin Rennes të Francë.
Zyra e prokurorit njoftoi se 16-vjeçari mbetet në paraburgim, ndërsa hetimet vazhdojnë për të përcaktuar rrethanat e sakta të rastit tragjik.
Trupi i 12-vjeçarit u zbulua të dielën pasdite kur një peshkatar dëgjoi të qarat e fëmijës pa qenë në gjendje të gjente se nga vinin. Ai menjëherë njoftoi policinë, e cila nxitoi në vendngjarje dhe e gjeti 12-vjeçarin të vdekur në shkurre pranë lumit Vilain.
Sipas të njëjtit informacion nga hetimi, një peshqir i lagur ishte i lidhur rreth qafës së fëmijës. Infermierët që mbërritën në vendngjarje nuk mundën ta shpëtonin atë.
Banorët e zonës thanë se ishin të tronditur nga incidenti, duke e përshkruar lagjen si të qetë, por me shumë lëvizje, pasi ndodhet pranë qendrës së qytetit dhe pranë një parku të frekuentuar nga këmbësorët dhe vrapuesit.
“Është një tronditje e vërtetë. Është një lagje e qetë dhe nuk do ta kishim imagjinuar kurrë se një krim i tillë mund të ndodhte këtu”, tha një banor për AFP-në.
Sipas gazetës Ouest-France, prindërit e 12-vjeçarit po mbështeten nga psikologë dhe shpëtimtarë, ndërsa hetimi është marrë përsipër nga departamenti special i krimit të organizuar dhe të rëndë i Rennes.





