Shqipëria dhe Bashkimi Evropian do të mblidhen këtë të martë, 26 maj, në Bruksel në kuadër të Konferencës së 8-të Ndërqeveritare, e cila konsiderohet një tjetër hap i rëndësishëm në procesin e negociatave për anëtarësimin e vendit tonë në BE.
Pas përmbushjes me sukses të objektivave të ndërmjetme për grupkapitullin “Themeloret”, takimi pritet të përcaktojë hapat përfundimtarë për këtë bllok negociues.
Në fokus janë Kapitulli 23, që lidhet me Gjyqësorin dhe të Drejtat Themelore, si dhe Kapitulli 24 për Drejtësinë, Lirinë dhe Sigurinë. Po ashtu, diskutimet do të përfshijnë funksionimin e institucioneve demokratike, reformën në administratën publike dhe kriteret ekonomike.
Delegacioni shqiptar do të drejtohet nga kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga ekipi negociator shqiptar. Konferenca pritet të nisë zyrtarisht në orën 19:30.
Ky takim pason një sërë konferencash ndërqeveritare që kanë mundësuar hapjen e të gjithë grupkapitujve negociues, mes tyre “Themeloret”, “Tregu i Brendshëm”, “Konkurrueshmëria dhe rritja gjithëpërfshirëse”, “Agjenda e gjelbër dhe ndërlidhja e qëndrueshme”, “Burimet, bujqësia dhe kohezioni”, si dhe “Marrëdhëniet e Jashtme”.
Konferenca e 8-të shihet si një etapë kyçe për ecurinë e negociatave, pasi do të ndikojë drejtpërdrejt në ritmin e mëtejshëm të integrimit evropian të Shqipërisë.





