Nga qyteti i shenjtë i Mekës, ku po qëndron me ftesë të Mbretit Salman bin Abdulaziz Al Saud, Presidenti Bajram Begaj ka uruar besimtarët myslimanë shqiptarë për festën e Kurban Bajramit.
Përmes një mesazhi të mbushur me urime për paqe dhe begati, Kreu i Shtetit ka vënë theksin te rëndësia e sakrificës dhe solidaritetit njerëzor, duke kujtuar se shoqëria bëhet më e fortë kur ndajmë gëzimin, por edhe përgjegjësinë për tjetrin.
“Të dashur besimtarë myslimanë, Nga Meka, qyteti i shenjtë i besimit dhe paqes, në këtë ditë të shënuar të Kurban Bajramit, ju përcjell urimet më të përzemërta për më shumë begati, shëndet, harmoni dhe mirësi në familjet tuaja!
Kurban Bajrami është kujtesë për sakrificën, përkushtimin ndaj Zotit, solidaritetin me njëri-tjetrin dhe kujdesin për ata që kanë më shumë nevojë. Shoqëria bëhet më e fortë kur njerëzit ndajnë jo vetëm gëzimin, por edhe dhembjen dhe përgjegjësinë për tjetrin.
Festa si Kurban Bajrami na rikujtojnë vlerat që i kemi mbajtur gjallë ndër shekuj: besimin, familjen, mikpritjen dhe respektin për njëri-tjetrin.
Jam veçanërisht i nderuar që këtë festë ta pres në Mbretërinë e Arabisë Saudite me ftesë të Mbretit Salman bin Abdulaziz Al Saud, në vendin ku miliona besimtarë nga e gjithë bota bashkohen në lutje, përulësi dhe paqe.
Gëzuar Kurban Bajramin! Zoti sjelltë paqe, mirësi dhe begati në çdo vatër shqiptare!”, ka shkruar Begaj.
Mesazhe urimi për Kurban Bajramin kanë ardhur edhe nga kreu i qeverisë, Edi Rama, i cili me anë të një videoje të publikuar në rrjetet sociale uron besimtarët myslimanë, ku shkruan: Ditë e bekuar, natë e ndritshme. Gëzuar Kurban Bajramin!





