Ministri i Jashtëm në detyrë, Gent Cakaj, ka zhvilluar biseda telefonike me homologët e tij, duke nisur nga Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, ai i Italisë, Luigi Di Maio, kreun e diplomacisë së Hungarisë, Péter Szijjártó dhe me Sekretaren e Shtetit për Çështjet Evropiane të Francës, znj. Amélie de Montchalin, në lidhje me rihapjen e kufijve.

Përmes një postimi në Facebook, Cakaj bën me dije se fokusi i bisedave ishte bashkërendimi e qëndrimeve për hapjen graduale të kufijve dhe rifillimin e fluturimeve direkte.

“Në ndërkohë zhvillova edhe telefonata me Ministrin e Jashtëm të Turqisë , z. Mevlüt Çavuşoğlu, të Italisë , z. Luigi Di Maio, të Hungarisë , z. Péter Szijjártó dhe Sekretaren e Shtetit për Çështjet Evropiane të Francës , znj. Amélie de Montchalin për të biseduar lidhur me luftën e përbashkët kundër COVID-19 dhe bashkërenduar veprimet për hapjen graduale të kufijve dhe rifillimin e fluturimeve direkte. Falënderues për mbështetjen e këtyre vendeve për procesin e rindërtimit pas tërmetit dhe luftën kundër pandemisë”, shkruan Cakaj.