Zv.kryeministrja Albana Koçiu ka folur për ecurinë e procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, pasi u pyet lidhur me hapat e ardhshëm dhe kapitujt negociues që mund të mbyllen së pari.

Ajo u ndal tek ecuria e negociatave dhe puna që po bëhet në kuadër të procesit.

“Ne jemi duke punuar dhe presim përfundimin e Konferencës së Tetë Ndërqeveritare. Pas kësaj presim rekomandimet dhe kushtet përmbyllëse. Ambicia jonë është që brenda këtij viti të nisim diskutimet për mbylljen e 10 kapitujve”, tha Koçiu.

Sipas saj, procesi është në lëvizje të vazhdueshme dhe ende në fazë koordinimi me Bashkimin Evropian.

“Kemi një sërë kapitujsh që po rakordohen, por nuk mund të bëhen publikë ende. Duhet të ulemi me palën evropiane dhe të diskutojmë një nga një detyrat dhe rekomandimet përpara finalizimit”, shtoi zv.Kryeministrja.

Ajo vuri theksin edhe te raportet e Komisionit Evropian dhe dokumentet orientuese për procesin, të cilat sipas saj duhet të lexohen me kujdes dhe në kontekst teknik, pasi shërbejnë për të udhëhequr hapat e mëtejshëm të integrimit.

Procesi i negociatave me BE-në mbetet një nga prioritetet kryesore të qeverisë, me synimin për të avancuar në kapitujt e parë gjatë këtij viti.