Edlir Tetova është zyrtarisht trajner i Teutës. Nuk kishte dyshime që Tetova do merrte drejtimin e durrsakëve. Ka qenë vetë klubi durrsak, që me anë të një postimi ditën e sotme ka njoftuar se Edlir Tetova do të jetë trajneri i ri. Kujtojmë që Tetova rikthehet në vendlindjen e tij në Durrës, pas eksperiencës së jashtëzakonshme, teksa në 3 sezonet e fundit, arriti të fitojë dy kampionate radhazi me Egnatian e Rrogozhinës.
Njoftimi i Teutës: : “ZYRTARE: Edlir Tetova emërohet trajneri i ri i KF Teuta! Klubi i Futbollit Teuta ka kënaqësinë të prezantojë zyrtarisht z. Edlir Tetova në krye të pankinës sonë. Një rikthim aty ku nisi gjithçka, i gatshëm për të udhëhequr skuadrën drejt objektivave dhe sukseseve të reja. I urojmë punë të mbarë dhe suksese në krye të ekipit”, shkruan Teuta.
Video e prezantimit mbyllet me fjalët e Tetovës: “U riktheva aty ku hodha hapat e parë për futbollin. Bashkë për gjithçka”.Trajneri kampion në fuqi e mbylli me Egnatian. Aty ku fitoi gjithçka, ndërsa peng mbeti vetëm kualifikimi në grupet e Europës.Teuta shfaqet me objektiv rikthimin e titullit kampion. Dhe Tetova është i besuari në projektin që tashmë ka nisur.





