Pas Durrësit e Korçës, kryeministri Edi Rama ka shkuar në Dibër në kuadër të festimeve për 35-vjetorin e Partisë Socialiste.
Duke folur për forcën politike që ai drejton, Rama u shpreh se PS ka qenë e vetmja parti që ka mbështetur hapur UÇK-në, duke rrëzuar pretendimet e opozitës që qeveria e tij nuk e mbështet Kosovën.
“Në këto 35 vite, ka shënuar disa gjëra shumë të rëndësishme në librin e jetës politike shqiptare. PS ks prodhuar më shumë sesa një herë, që është e vetmja forcë politike që ka marrëdhënie të kristaltë me interesin kombëtar. Shembulli më kulmor, është i lidhur me atë periudhë kur PS dhe ldieri i saj historik, Fatos Nano bombardoheshin si të lidhur me Beogradin. Ata që i bombardonin, ishin ata që ditën flisnin për Kosovën, natën thyenin embargon dhe i shisnin naftë Sllobodan Millosheviçit. Ishte PS dhe qeveritë e PS, duke filluar nga qeveria e Fatos Nanos, që nuk lanë asgjë pa bërë, për ta mbështetur UÇK dhe çlirimin e Kosovës. Ndryshe nga ata që sollën rrëmujë, konflikt të armatosur, shkatërrim, PS diti të ndahet nga diktatura”,tha Rama.
Rama tha se Partia Socialiste ka qenë gjithmonë një forcë e karakterizuar nga prirja për të ndërtuar vendin dhe shtetin, ka qenë një forcë njerëzore, ndërsa kundërshtari politik ka pasur si qëllim vetëm përçarjen dhe urrejtjen.
“PS-në e ka karakterizuar gjithmonë prirja për të ndërtuar dhe gjithmonë jemi përballur me forcën e shkatërrimit të madh apo të vogël. Forcën që, kur ka pasur në dorë Shqipërinë, ka shkatërruar Shqipërinë; forcën që edhe kur i kanë rënë pantallonat, ka shkatërruar fasadën e Kryeministrisë apo kazanët në Tiranë.
PS-në e ka karakterizuar fryma e tolerancës dhe njerëzillëkut, ndërsa ata që PS-ja i ka pasur përballë kanë qenë mishërimi i përçarjes dhe urrejtjes, në demokratë dhe komunistë, në njerëz të demokracisë dhe diktaturës. Një përçarje që u përhap deri në fshatin më të largët”, tha Rama.





