Nga Aleksandër Cangonja
Historia e Harilla Bakallit është një nga dëshmitë më rrëqethëse të asaj se si regjimi i pasluftës në Shqipëri i shpërbleu me tortura dhe vdekje njerëzit që sakrifikuan gjithçka për lirinë dhe rindërtimin e atdheut. Për të kuptuar plotësisht përmasën e kësaj tragjedie, mjafton të shohim dokumentet zyrtare të kohës që tregojnë rrugëtimin e tij nga qelitë e pushtuesit fashist e deri te zyrat më të larta të shtetit të ri shqiptar, përpara se të përfundonte i pajetë në qelitë e hetuesisë komuniste.
Çdo gjë nis gjatë viteve të zymta të Luftës së Dytë Botërore. Harilla, një nga pinjollët e njohur të familjes Bakalli në Durrës, i cili kishte investuar në jetën publike dhe si publicist me gazetën e tij, nuk mund të qëndronte indiferent ndaj fatit të vendit. I shtyrë edhe nga ideali i nipit të tij, Spiro Bakallit, që la studimet në Francë për t’u angazhuar në çlirimin e atdheut, Harilla vuri në rrezik pozicionin e tij si Drejtor i Odës së Tregtisë në Durrës. Dokumenti i parë zyrtar, i lëshuar nga Arma e Gjindarmërisë më 10 mars 1944 me numër protokolli 2676, zbulon qartë guximin e tij. Në këtë shkresë komunikohet arrestimi i tij mbi akuzën se “si mbas informatave që ka komanda e Qarkut akuzohet për fornizim ushqimesh me shumic si sheqer, Oris, Makarona, e tjera, që i ka dhanë çetës Nacional Çlirimtare të Myslim Pezës”. Ky dokument fashist jo vetëm që vërteton se ai ishte pjesë e Këshillit Nacional-Çlirimtar që nga dhjetori i vitit 1942, por tregon se ai bëri burg dhe u dërgua në Gjyqin për Mbrojtjen e Shtetit pikërisht sepse ushqeu dhe mbështeti ata që luftonin në male.
Me ardhjen e çlirimit, Harilla Bakalli u lirua nga burgu dhe, si një njeri me integritet dhe eksperiencë të madhe, u vu menjëherë në shërbim të rimëkëmbjes së vendit të shkatërruar. Aftësitë e tij teknokratike u njohën menjëherë nga udhëheqja e re ushtarake dhe civile. Kjo konfirmohet katërcipërisht nga dokumenti i dytë, ku vetëm pak ditë para çlirimit zyrtar, më 25 nëntor 1944, Komandanti i Korparmatës së I, Gjeneral-Major Dali Ndreu, i drejtohet Këshillit të Prefekturës së Durrësit me urdhrin e prerë: “Shokut Harila Bakalli, i jane dhene udhezimet nga Ministria Ek. Kombetare dhe te Rindertimit qe ne bashkepunim me ate Keshillit t’interesohet per rivendosjen e popullsise se Durresit, per rindertimin dhe venejen ne veprimtari sa me te shpejte te cdo industrije o enti me interes publik.”
Harilla iu përvesh punës dhe u bë organizatori i parë dhe i suksesshëm i Portit të Durrësit. Në këtë rol jetik për mbijetesën e popullit, ai menaxhoi me saktësi kirurgjikale mijëra tonë mallra, medikamente, veshmbathje e mjete transporti që pruri me emergjencë Misioni Ushtarak Aleat dhe ndihmat e mëdha që dhuroi UNRRA. Madje, përtej aspektit ekonomik, ai tregoi një humanizëm të lartë dhe aftësi të mëdha logjistike duke menaxhuar me kujdes e komoditet riatdhesimin e shqiptarëve dhe italianëve, si dhe operacionin delikat të riatdhesimit të 170 hebrenjve drejt Palestinës me anijet e UNRRA-s. Ai u bë nënkryetar i Frontit në Durrës, duke u konsoliduar si një figurë kyçe e shtetit të ri.
Por, pikërisht këtu ndodh thyerja e madhe dhe paradoksi tragjik. Ai që dikur bënte burg nga fashistët sepse ndihmonte lëvizjen nacional-çlirimtare, dhe që më pas ngriti nga gërmadhat ekonominë e Durrësit, mori si shpërblim të vetëm eliminimin fizik. Në fillim të vitit 1947, nën valën e paranojës së egër ideologjike dhe luftës së klasave që goditi tregtarët dhe intelektualët durrsakë, Harilla Bakallin e thirrën në Degën e Brendshme. Bashkëpunimi i tij zyrtar me strukturat perëndimore për menaxhimin e ndihmave u përdor si pretekst për ta arrestuar nën akuzën absurde si agjent anglo-amerikan. Pas torturave çnjerëzore në qelitë e hetuesisë, Harilla dha shpirt pa u gjykuar kurrë dhe pa pasur një vendim fajësie nga asnjë gjykatë.
Historia e tij mbetet një monument i dhimbshëm i një epoke që vriste njerëzit e zotë e patriotë, por edhe një dëshmi e pashlyeshme e qytetarisë dhe sakrificës durrsake.





