Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji ka reaguar pas deklaratave të kreut të selisë blu Sali Berisha, që bëri pak pas mbylljes së Kuvendit Kombëtar, ku tha se ata që bashkëpunojnë me atë nuk kanë punë në parti.
Ish-deputeti i PD e cilësoi Berishën si uzurpator të PD që kërkon ta bëjë partinë si pronë private, teksa vuri në dukje se vetëm bashkimi i demokratëve i sjell tek fitorja.
“Uzurpatori ka shqetësim cilindo që e do Partinë Demokratike fituese, për uzurpatorin ata janë problemi, e shqetësojnë në rehatinë e tij të bashkëqeverisjes me Ramën. Problemi sot është mentaliteti që kërkon bindje të verbër, përjashtim dhe frikë në vend të garës, debatit dhe meritës. Deklarata e Sali Berishës se “kushdo që bashkëpunon me Salianjin s’ka punë me PD” është dëshmia e qartë se problemi i Partisë Demokratike nuk është mungesa e mbështetjes, por mungesa e demokracisë. Për mbeshtetje nuk pati guxim te përballeshim në garë!”, tha ai mes të tjerash në një postim në rrjetin social, që e shoqëron edhe me pamje filmike nga takimi i djeshëm me mbështetësit e tij në Tiranë.
Ai thekson se demokratët nuk kanë nevojë për “lista miqsh, por për projekt fitues”.
Salianji u shpreh se PD nuk do bëhet shumicë duke përjashtuar anëtarët e saj, por duke u bashkuar.
“Një parti politike nuk mund të funksionojë si pronë personale e askujt. Në një parti demokratike nuk përjashtohen njerëzit sepse mendojnë ndryshe, nuk shpallen armiq ata që bashkëpunojnë me kolegët e tyre dhe nuk vendoset besnikëria ndaj individit mbi interesin e partisë. Demokratët nuk kanë nevojë për lista armiqsh, por për një projekt fitues që bashkon dhe jo përçan. PD nuk do të bëhet shumicë duke përjashtuar demokratët. PD bëhet shumicë duke i bashkuar ata. Kjo është beteja dhe ne nuk do ti shmangemi deri në fund!”, shkruan ai.
Postimi i plotë i Ervin Salianjit:
“Uzurpatori ka shqetësim cilindo që e do Partinë Demokratike fituese, për uzurpatorin ata janë problemi, e shqetësojnë në rehatinë e tij të bashkëqeverisjes me Ramën.
Problemi sot është mentaliteti që kërkon bindje të verbër, përjashtim dhe frikë në vend të garës, debatit dhe meritës.
Deklarata e Sali Berishës se “kushdo që bashkëpunon me Salianjin s’ka punë me PD” është dëshmia e qartë se problemi i Partisë Demokratike nuk është mungesa e mbështetjes, por mungesa e demokracisë. Për mbeshtetje nuk pati guxim te përballeshim në garë!
Një parti politike nuk mund të funksionojë si pronë personale e askujt. Në një parti demokratike nuk përjashtohen njerëzit sepse mendojnë ndryshe, nuk shpallen armiq ata që bashkëpunojnë me kolegët e tyre dhe nuk vendoset besnikëria ndaj individit mbi interesin e partisë.
Demokratët nuk kanë nevojë për lista armiqsh, por për një projekt fitues që bashkon dhe jo përçan.
PD nuk do të bëhet shumicë duke përjashtuar demokratët. PD bëhet shumicë duke i bashkuar ata. Kjo është beteja dhe ne nuk do ti shmangemi deri në fund!”.





