Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka nisur sot një vizitë zyrtare në Kosovë, ku do të pritet në takime të veçanta nga krerët më të lartë të shtetit dhe liderët politikë. Agjenda e ministrit nis në orën 10:00 me takimin me ushtruesen e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, për të vijuar në orën 10:45 me Kryeministrin Albin Kurti.
Më pas, Hoxha do të pritet nga homologu i tij, Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca. Rreth orës 12:10, të dy ministrat do të mbajnë një konferencë të përbashkët për shtyp, e cila do të transmetohet live në faqen zyrtare të MEPJ-së.
Gjatë qëndrimit në Prishtinë, kryediplomati shqiptar do të takojë edhe krerët e partive kryesore politike: Bedri Hamzën (PDK), Ardian Gjinin (AAK) dhe Lumir Abdixhikun (LDK). Vizita do të mbyllet në bazën e KFOR-it, ku Ministri Hoxha do të bashkëbisedojë me komandantin, Gjeneral-major Ozkan Ulutash, si dhe me trupat e Forcave të Armatosura të Shqipërisë që shërbejnë në këtë mision.





