Gjumi në natyrë po rikthehet si një alternativë për përmirësimin e shëndetit fizik dhe mendor. Studiuesit thonë se kampingu dhe largimi nga telefonat apo ekranet ndihmojnë trupin të rikthehet në ritmin natyral të ditës dhe natës. Sipas kërkimeve, edhe disa ditë në natyrë mund të ndikojnë ndjeshëm në cilësinë e gjumit dhe energjinë gjatë ditës.

Për shumë njerëz, gjumi është kthyer në një sfidë të përditshme. Drita artificiale, telefonat dhe ritmi modern i jetës po ndikojnë gjithnjë e më shumë në cilësinë e pushimit. Pikërisht për këtë arsye, ekspertët po rekomandojnë një zgjidhje të thjeshtë: rikthimin në natyrë.

Sipas studiuesve të Universitetit të Kolorados në Shtetet e Bashkuara, vetëm një fundjavë kamping, pa telefona dhe pa ndriçim artificial, mund të ndryshojë orën biologjike të trupit deri në dy orë më herët. Organizmi fillon të përshtatet natyrshëm me lindjen dhe perëndimin e diellit, duke ndihmuar njerëzit të flenë më shpejt dhe të zgjohen më të çlodhur.

Ekspertët shpjegojnë se ekspozimi i vazhdueshëm ndaj ekranit gjatë natës ndikon në prodhimin e melatoninës, hormoni që kontrollon gjumin. Si pasojë, shumë persona flenë më vonë dhe ndihen të lodhur gjatë ditës.

Ndikim pozitiv ka edhe vetë ambienti natyror. Tingujt e shiut, era nëpër pemë apo kënga e zogjve krijojnë relaks dhe reduktojnë stresin. Sondazhet tregojnë se shumë kampistë deklarojnë se flenë më mirë në tendë sesa në shtëpi.

Megjithatë, netët e para në natyrë nuk janë gjithmonë të lehta. Temperaturat, zhurmat apo kushtet atmosferike mund të ndikojnë tek personat që nuk janë mësuar me kampingun. Por sipas specialistëve, trupi përshtatet shpejt dhe përfitimet bëhen të dukshme pas pak ditësh.

Ekspertët këshillojnë që edhe pa kamping, njerëzit të reduktojnë përdorimin e telefonit para gjumit, të ulin ndriçimin artificial në mbrëmje dhe të kalojnë më shumë kohë në dritë natyrale gjatë ditës. Sipas tyre, rikthimi tek ritmi natyral mbetet një nga mënyrat më të thjeshta për një gjumë më të shëndetshëm.