Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha u taku me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza.

Në një postim në X ministri theksoi se u diskutua për rëndësinë e konstituimit sa më të shpejtë të institucioneve të reja dhe nevojën për një frymë bashkëpunimi e përgjegjshmërie politike.

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, postim në X:

Pata kënaqësinë e një takimi të ngrohtë dhe miqësor me Kryetarin e #PDK-së, Bedri Hamza, me të cilin shkëmbyem mendime mbi zhvillimet aktuale politike në #Kosovë dhe sfidat e periudhës në vijim.

Nënvizuam rëndësinë e konstituimit sa më të shpejtë të institucioneve të reja dhe nevojën për një frymë bashkëpunimi e përgjegjshmërie politike, në përputhje me pritshmëritë e qytetarëve për stabilitet, zhvillim dhe integrim evropian. E inkurajova kryetarin Hamza dhe PDK-në të vijojnë të luajnë një rol konstruktiv në ndërtimin e konsensusit politik, përfshirë proceset e rëndësishme institucionale që e presin vendin.

E sigurova për mbështetjen e palëkundur të #Shqipërisë ndaj #Kosovës, në forcimin e subjektivitetit të saj ndërkombëtar, avancimin e proceseve integruese evroatlantike, si dhe në përpjekjet për konsolidimin e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në rajon.

Diskutuam gjithashtu rëndësinë e vazhdimit të #dialogut Kosovë–Serbi, si një proces i domosdoshëm për normalizimin e marrëdhënieve, forcimin e stabilitetit rajonal dhe avancimin e perspektivës evropiane të të dy vendeve.

U kushtuam vëmendje të veçantë edhe zhvillimeve që lidhen me ish-drejtuesit e #UÇK-së. Shpreha respektin dhe solidaritetin tonë për kontributin e tyre historik në luftën për liri dhe pavarësi, si dhe besimin tonë në pafajësinë e tyre. Njëkohësisht, ritheksova pritshmërinë që drejtësia të veprojë në mënyrë të paanshme, mbi bazën e fakteve, provave dhe standardeve më të larta ndërkombëtare të një procesi të rregullt ligjor.