Pas reagimeve të Greqisë, në lidhje me lëndimin e një minoritari në protestën e banorëve në Zvërnec, kryeministri Rama vijon që të replikojë me politikanë në Athinë.
Këtë herë ka zgjedhur të replikojë me ish-kryeministrin grek, Aleksis Tsipras.
Rama shprehet se partia e Tsipras ka thënë gjysmë të vërteta dhe se ka pasur një ton tepër nacionalist. Kryeministri deklaron se plagosja e një qytetari – qoftë ky shqiptar a grek – është për të ardhur keq.
Kreu i qeverisë shprehet se Tirana zyrtare është e zotuar që të respektojë minoritetet në Shqipëri, edhe si një zotim europian. “Minoriteti Kombëtar Grek në Shqipëri është një thesar që e vlerësoj jashtëzakonisht shumë. Ai gëzon të drejta dhe mbrojtje që nuk janë as më shumë dhe as më pak se ato që gëzojnë të gjithë qytetarët shqiptarë”, shkruan Rama në replikë.
Replika e plotë e kryeministrit Edi Rama me politikanin grek, Aleksis Tsipras:
I dashur Aleksis Tsipras
Uroj të jesh mirë!
Ndjesë për shqetësimin, por doja të ndaja habinë time për mënyrën se si, kaq shpejt, edhe partia jote e re ka kontribuar në shndërrimin e një incidenti krejtësisht të izoluar në një çështje me peshë më të gjerë politike, duke shpërfillur faktet e konfirmuara dhe duke vënë theksin mbi gjysmë të vërteta, të cilat shpesh janë forma më mashtruese e pavërtetësisë, sidomos kur marrin edhe ngjyrime nacionaliste!
Incidenti fatkeq, në Zvërnec nuk ndodhi gjatë një proteste normale për të drejtat e pronës. Ai ndodhi në një klimë tensioni të shtuar, të ushqyer nga dezinformim i gjerë, i shoqëruar me përpjekje të përsëritura për të penguar aktivitetin e ligjshëm të investitorëve privatë ndërkombëtarë me reputacion të lartë, që operojnë në tokë private, të cilën e kanë blerë nga pronarë të ligjshëm me tituj të vlefshëm pronësie, në përputhje të plotë me ligjin shqiptar.
Çdo dëmtim ndaj çdo individi, shqiptar, grek apo cilido qoftë, është për të ardhur keq. Rrethanat u sqaruan me shpejtësi, duke çuar në arrestimin e punonjësve të sigurisë private përgjegjës, heqjen e licencës së kompanisë së tyre dhe shkarkimin e drejtorit të Policisë së Vlorës.
Çfarë më tepër prisnit, Alexis, dhe çfarë masash shtesë do të kishe marrë ti si Kryeministër në këto rrethana? Për aq sa më kujtohet nëse pozicionet do të ishin të kundërta, reagimi yt me shumë gjasë do të kishte qenë shumë më pak vendimtar. Por ky nuk është thelbi.
Thelbi është se nuk është as e drejtë dhe as e përgjegjshme të shndërrohet një incident i izoluar në provë të shkeljes së të drejtave të pakicave, të drejtave të pronës apo shtetit të së drejtës. Përkundrazi, një gjë e tillë është e padrejtë, e papërgjegjshme dhe në kundërshtim me vlerat europiane që të dy pretendojmë se ndajmë. Asnjë fushatë zgjedhore nuk mund ta justifikojë një sjellje të tillë, sidomos nga një parti e re që aspiron të përfaqësojë të majtën europiane të shekullit XXI.
Angazhimi i Shqipërisë ndaj shtetit të së drejtës, mbrojtjes së pronës dhe të drejtave të pakicave kombëtare nuk është çështje leverdie politike. Ai është detyrim kushtetues, angazhim europian dhe një realitet i pasqyruar në legjislacionin dhe institucionet tona.
Siç e kam theksuar edhe më parë, përfshirë kur u jam përgjigjur shqetësimeve të tua lidhur me rrugën europiane të Shqipërisë në çështje që kanë përfshirë grekët etnikë, jam plotësisht dakord se respektimi i shtetit të së drejtës është thelbësor. Pikërisht për këtë arsye, faktet duhet të përcaktohen nga institucionet dhe gjykatat kompetente, jo nga deklarata politike të lëshuara nga një vend tjetër dhe të ndikuara nga konsiderata të politikës së brendshme.
Pakica Kombëtare Greke në Shqipëri është një pasuri që e vlerësoj jashtëzakonisht shumë. Ajo gëzon të drejta dhe mbrojtje që nuk janë as më shumë dhe as më pak se ato që gëzojnë të gjithë qytetarët shqiptarë, dhe unë punoj çdo ditë për t’i forcuar ato, falë edhe bashkëpunimit të ngushtë me qeverinë greke.
Prandaj besoj se do të biesh dakord që marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë u shërbehen më së miri fakteve dhe jo hamendësimeve, respektit për shtetin e së drejtës dhe institucionet e vendeve fqinje dhe jo spekulimeve politike.
Duke të uruar sukses në zgjedhjet e ardhshme, shpresoj sinqerisht që partia jote e re të tregojë se lëvizjet e reja politike nuk kanë pse të bien në të njëjtat modele të vjetra të debatit publik, përfshirë tundimin për të mbledhur mbështetje përmes retorikës patriotike dhe përfundimeve të nxituara mbi fqinjët dhe institucionet e tyre sovrane.
Në fund të fundit, Europa ka nevojë për më pak reflekse të së kaluarës dhe më shumë besim te faktet, institucionet dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë.
Gjithë të mirat, miku im i vjetër!





