Presidenti i Këshillit të Europës, Antonio Costa, viziton këtë të martë, më 2 qershor Shqipërinë, në kuadër të turit që po zhvillon në të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.
Costa do të pritet paraditen e sotme, rreth orës 11:00 nga kryeministri Edi Rama.
Dy ditë para ardhjes së tij, presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa ndau një mesazh në rrjetin social X, ku u shpreh se vizita e tij po bëhet me qëllim për të dërguar një sinjal të qartë për vendet e Ballkanit Perëndimor.
“Këtë javë, do të vizitoj gjashtë partnerët tanë të Ballkanit Perëndimor. Vizita ime në rajon dërgon një sinjal të qartë: angazhimi ynë ndaj Ballkanit Perëndimor është real; dhe kështu është edhe mundësia e zgjerimit. Momenti është aty. Tani është koha për të dhënë rezultate.”, shkruante Costa në X.
Vizita e presidentit të KE-së në Tiranë vjen në kuadër të turit të tij në Ballkanin Perëndimor para Samitit BE-Ballkani Perëndimor.
Kujtojmë se ky samit do të mbahet më 5 qershor në Tivat dhe përfaqëson një moment historik, pasi organizohet për herë të parë në Mal të Zi, i konsideruar së bashku me Shqipërinë si shtete pararojë të procesit të zgjerimit.
Programi përfshin dy seanca kryesore: një takim plenar dhe një drekë pune.
Takimi plenar do t’i kushtohet progresit në afrimin dhe integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE dhe Axhendën e Rritjes, duke forcuar njëkohësisht stabilitetin rajonal, lidhshmërinë dhe qëndrueshmërinë.
Dreka e punës do të përqendrohet në politikën e zgjerimit, sfidat dhe mundësitë kryesore, si dhe në përafrimin me politikat dhe standardet evropiane, duke konfirmuar se zgjerimi mbetet një nga çështjet kryesore strategjike të Bashkimit Evropian.





