Greqia ka nisur zbatimin e një marrëveshjeje me Egjiptin për punësimin e deri në 5,000 punëtorëve sezonalë në sektorin bujqësor, në përpjekje për të përballuar mungesën e vazhdueshme të fuqisë punëtore. Procesi ka hyrë tashmë në fazën e zbatimit, ndërsa dhjetëra punëdhënës grekë kanë shprehur interes për të marrë pjesë në këtë program.
Punëtorët egjiptianë do të angazhohen në kultura të ndryshme bujqësore, si ullinjtë, kivit, agrumet, pjeshkët dhe qershitë, ku nevojat për fuqi punëtore janë më të mëdha gjatë sezonit të korrjeve.
Marrëveshja parashikon që ata të mund të lëvizin në rajone të ndryshme të Greqisë sipas nevojave të prodhimit, duke siguruar kështu një përdorim më efikas të fuqisë punëtore.
Qëndrimi i tyre do të jetë deri në nëntë muaj, me mundësi për leje më afatgjata në të ardhmen. Autoritetet greke theksojnë se programi synon të mbulojë nevojat e tregut të punës përmes rrugëve ligjore dhe të kontrolluara, ndërsa po i kushtohet rëndësi edhe përmirësimit të kushteve të strehimit dhe jetesës së punëtorëve.
Kjo nismë konsiderohet një hap i rëndësishëm për mbështetjen e prodhimit bujqësor dhe mund të shërbejë si model bashkëpunimi edhe me vende të tjera jashtë Bashkimit Evropian.





