Një fenomen i vërejtur gjithnjë e më shpesh në jetën e përditshme dhe në vendin e punës është përdorimi i shpeshtë i shprehjes “më fal” nga disa gra, edhe në situata kur nuk janë përgjegjëse për një gabim.

Rasti i 23-vjeçares Gabriela Cryan nga Georgia e SHBA-së ilustron këtë sjellje. Ajo tregon se shpesh kërkon falje edhe kur, për shembull, i sjell kolegëve porosinë e gabuar të kafesë, edhe pse gabimi nuk ka qenë i saj.

“Ndjej se shumë herë them ‘më fal’ në situata që nuk janë vërtet faji im. Edhe pse unë nuk po marr përgjegjësi, të tjerët mund ta perceptojnë si të tillë,” shprehet Cryan.

Sipas ekspertëve të psikologjisë, kjo sjellje lidhet me pritshmëritë shoqërore dhe presionin që u vendoset vajzave që në moshë të re për të qenë të sjellshme, empatike dhe të kujdesshme ndaj të tjerëve.

Psikologu Stephen Hinshaw e përshkruan këtë si një “grackë të trefishtë” (triple bind), ku gratë pritet të jenë njëkohësisht të kujdesshme, ambicioze dhe tërheqëse, pa treguar “shumë” vetëbesim që mund të shihet si agresiv.

“Këto pritshmëri janë të pamundura për t’u përmbushur plotësisht dhe shpesh krijojnë pasiguri që shprehet në sjellje si kërkimi i shpeshtë i faljes,” shpjegon ai.

Nga ana tjetër, ekspertë të tjerë theksojnë se nuk është se burrat nuk kërkojnë falje, por ata kanë një “prag më të lartë” për atë që e konsiderojnë ofendim. Kjo bën që gratë të identifikojnë më shumë situata ku ndihen të detyruara të kërkojnë falje.

Studimet tregojnë gjithashtu se njerëzit që kërkojnë falje më shpesh perceptohen si më të sjellshëm dhe empatikë, por njëkohësisht mund të shihen si më pak të sigurt ose më pak autoritarë, sidomos në mjedisin e punës.

Sipas ekspertëve, kjo dinamikë reflekton ende pabarazitë dhe pritshmëritë gjinore që ekzistojnë në shoqëri, veçanërisht në vendet e punës ku gratë mbeten më pak të përfaqësuara në pozita drejtuese.

Në këtë mënyrë, kërkimi i shpeshtë i faljes nuk shihet vetëm si çështje sjelljeje individuale, por edhe si pasojë e presioneve sociale dhe kulturore që ndikojnë mënyrën se si gratë komunikojnë çdo ditë