Aeroporti Ndërkombëtar i Kuvajtit është goditur nga dronë të dyshuar iranianë, duke shkaktuar plagosjen e disa personave dhe dëme të konsiderueshme materiale, sipas forcave të armatosura të vendit.
Në një deklaratë të publikuar në rrjetin social X, ushtria e Kuvajtit tha se “dronët armiqësorë shënjestruan terminalin e pasagjerëve (T1) të Aeroportit Ndërkombëtar të Kuvajtit, si pjesë e një sulmi iranian”, duke shtuar se si pasojë janë regjistruar lëndime në njerëz dhe dëme serioze në infrastrukturë.
Autoriteti i Aviacionit Civil njoftoi pezullimin e menjëhershëm të trafikut ajror, ndërsa fluturimet u devijuan drejt aeroporteve alternative në rajon. Sipas agjencisë zyrtare të lajmeve KUNA, është aktivizuar plani i emergjencës për menaxhimin e situatës në aeroport.
Në deklaratat e autoriteteve thuhet se sulmi ka prekur terminalin “T1” dhe ka shkaktuar dëme në disa objekte të aeroportit, përveç viktimave dhe të plagosurve, pa dhënë ende një bilanc të saktë.
Ndërkohë, Komanda Qendrore e Shteteve të Bashkuara (CENTCOM) bëri të ditur më herët se dy raketa iraniane të lëshuara drejt Kuvajtit nuk arritën objektivat ose u neutralizuan gjatë rrugës. Po ashtu, tre raketa të tjera të drejtuara ndaj Bahreinit u interceptuan nga forcat amerikane dhe ato të Bahreinit.
Sipas deklaratës së CENTCOM, Irani ka lëshuar një seri raketash balistike drejt vendeve fqinje, por pa arritur të godasë objektivat e planifikuara.
Ushtria amerikane ka reaguar gjithashtu me sulme në ishullin Qeshm, duke pretenduar se ka shkatërruar raketa balistike dhe dronë iranianë si përgjigje ndaj përpjekjeve të sulmit.
Situata në rajon mbetet e tensionuar, ndërsa autoritetet e Kuvajtit dhe aleatët e tyre vijojnë hetimet dhe masat e sigurisë pas incidentit në aeroport.





