Kryeministri Edi Rama është kapur me gazetarin e Syri Tv, pasi i bëri një pyetje se cilën prej kërkesave të protestuesve do të zgjidhte, burgun apo dorëheqjen. Rama në fjalën e tij, u shpreh fillimisht se kjo pyetje nuk meritonte përgjigje.

Ndërkohë që më tej dha një koment, duke quajtur protestuesit manipulatorë si dhe “ronxho-bonxho” (sharlatanë, të paaftë dhe inkopetentë).

“Përsa i përket burgut është një pyetje që meriton vetëm një koment nga ana ime. Koha kur njerëzve u tregohej burgu nëpër rrugë është kohë që e kemi lënë shumë pas. Dhe unë jam njeriu që me krenari kam udhëhequr betejën historike të shqiptarëve, për shqiptarët dhe gjithë të tjerët njësoj, duke i hapur rrugë reformës në drejtësi, duke i dhënë jetë një strukture e cila është krejtësisht e pavarur nga unë dhe e cila bën punën në shërbim të drejtësisë. Kështu që janë krejtësisht gjëra të ndara. Dhe kjo është prapë pjesë e spekulimeve dhe manipulimeve dhe kjo mua s’më bën përshtypje fare, janë film shumë i vjetër dhe që ka gjithmonë të njëjtin fund. Ajo që më vjen keq me ata që vazhdojnë t’i shkojnë nga mbrapa atyre ronxho-bonxhove të tjerë që shkojnë poshtë dritares si profesionistë është njësoj sikur ata që shikojnë të njëjtin fil dhe mezi presin që fundit të jetë ndryshe dhe personazhi i tyre të triumfojë, nuk ndodh kjo, është një fil me fund që e kanë parë të gjithë”, tha Rama.